E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada e SHBA-ve këshillon qytetarët e saj: Kujdes të premten në Tiranë!

28/01/2011  Arvizu takim kokë me kokë me Berishën një ditë para protestës

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka mësuar se PS-ja ka aplikuar për leje nga Policia e Shtetit për të zhvilluar një demonstratë të madhe dhe publike në Tiranë të premten, më 28 janar. Ambasada nuk ka informacione të posaçme lidhur me vendin ose zonat se ku do të zhvillohet kjo demonstratë, por informacionet e medies bëjnë me dije se demonstruesit mund të mblidhen në 10 zona të ndryshme të qytetit dhe të marshojnë nëpërmjet rrugëve kryesore. Demonstratat e kaluara i kanë prekur të gjitha arteriet kryesore hyrëse të mëdha të qytetit dhe zakonisht mblidhen rreth Parlamentit, zyrës së Kryeministrit dhe bulevardit ‘Dëshmorët e Kombit’ - kështu shkruhet në një njoftim të ambasadës amerikane për qytetarët e saj në Shqipëri. Sipas ambasadës, demonstrata e 21 janarit rezultoi në vdekjen e 3 personave dhe plagosjen e shumë të tjerëve, përfshirë dhe policë të shtetit.

Ambasada do të mbyllet të premten më 28 janar dhe këshillon personelin të kufizojë të gjitha lëvizjet e panevojshme gjatë protestave. “Ne ju rikujtojmë qytetarëve amerikanë se edhe demonstratat që mendohet të jenë paqësore mund të shndërrohen në demonstrata të dhunshme dhe të paparashikueshme. Ju duhet t’i evitoni, në rast se është e mundur. Demonstratat në një qytet kanë potenciale të çojnë në protesta apo demonstrata shtesë publike në qendra të tjera përreth vendit. Jini të kujdesshëm në ambientin ku jeni dhe ndiqni njoftimet e medieve lokale lidhur me të gjitha demonstratat apo protestat e mundshme publike. Qytetarëve amerikanë u sugjerohet të manifestojnë vëmendje të madhe, në rast se ndodhen pranë ndonjë demonstrate”, - thuhet në njoftim. Ndërkohë burime nga Kryeministria bëjnë të ditur se rreth orës 13:00 të ditës së djeshme ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu ka bërë dhe një takim me kryeministrin Berisha. Nga ana e saj Kryeministria nuk ka bërë të ditura detajet e këtij takimi, por burime nga ky institucion bëjnë të ditur se ambasadori Arvizu ka shprehur dhe një herë shqetësimin për situatën e tensionuar dhe demonstratën-homazh përpara Kryeministrisë. Një ditë më parë ishte vetë Arvizu që dha vlerësimet e tij për tërheqjen nga tubimi i planifikuar të shtunën nga mazhoranca, ndërkohë që shprehu keqardhjen e tij që Edi Rama nuk kishte bërë të njëjtën gjë, megjithëse një ditë më parë ai vetë kishte ndenjur 100 minuta në zyrën e tij për këtë qëllim. Po ashtu ndihmëssekretari i Shtetit Filip Gordon kishte biseduar për 30 minuta rresht me kreun e opozitës që të hiqte dorë nga demonstrata e sotme, por pa rezultat. Ndërkohë jo vetëm SHBA-të, por i tërë komuniteti ndërkombëtar është shfaqur i shqetësuar në lidhje me destabilizimin e Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›