E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tri ditë para protestës letër Berishës për një tjetër “Krokodil”

28/01/2011  Komiseioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, komenton situatën në Shqipëri

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fule, tha dje se vetëm tri ditë përpara 21 janarit, pra më 18 janar, i kishte dërguar një letër kryeministrit shqiptar, ku i ofronte ndihmë për nisjen e dialogut, një lloj ndihme e ngjashme me darkën te restorant “Krokodili” në Strasburg. Fule i bëri këto komente gjatë mbledhjes së Komisionit të Jashtëm, teksa një deputet pyeti rreth situatës në Shqipëri. Sipas Fules, udhëheqësit shqiptarë duhet të kuptojnë pasojat e kësaj situate, sepse ajo nuk shkon asgjëkund tjetër përveçse në kurriz të shqiptarëve dhe imazhit të Shqipërisë “Unë shpresoj që udhëheqësit e të dy krahëve do të kuptonin pasojat, nëse ata do të vazhdojnë të sillen rreth kësaj orbite. Ata duhet ta kishin kuptuar se ajo që po ndodh tani shkon në të vërtetë në kurriz të Shqipërisë dhe të interesave të shqiptarëve “Ne patëm nisur një letër disa ditë para kësaj demonstrate, ku, për fat të keq, njerëzit u vranë jashtë dyerve. Këtë letër ia drejtuam qeverisë dhe aty ngrinim çështjet që qëndrojnë që prej raportit të fundit të progresit mbi zgjerimin, duke theksuar se duhen bërë të gjitha përpjekjet për adresimin e sfidave përpara zgjedhjeve lokale të majit, një palë tjetër zgjedhjesh këto që po afrohen. Dhe pika e tretë ishte ritheksimi se pa zgjidhje reale të ngërçit politik do të ishte shumë e vështirë që të arrihej ndonjëfarë progresi për sa i takon perspektivës evropiane. Por çfarë është më e rëndë është se e gjithë kjo po sjell pasoja për jetën e njerëzve në Shqipëri. E madje unë shkova dhe përtej linjës sime tradicionale, kur në letër iu referova darkës së famshme te “Krokodili” vitin e kaluar dhe theksova se ne jemi në kontakt me të dy liderët e shquar të familjeve kryesore politike në Parlamentin Europian dhe ofrojmë gatishmërinë tonë të vazhdueshme për të ndihmuar, në rast se dy liderët shqiptarë do të dëshironin sërish angazhimin tonë e nëse ata vetë nuk do të ishin të aftë të kapërcenin pjesën e fundit të rrugës në kërkimin e një zgjidhjeje politike”, - theksoi ai. Ndërkohë Fule sqaroi se janë marrë kontakte me të gjitha përfaqësitë ndërkombëtare në Bruksel për të qenë në union për mesazhet që do t’i përcillen Shqipërisë. “Ajo që unë mendoj se është e rëndësishme në këtë moment është se Miroslav Lajçak ka mbështetjen pa rezerva të të gjitha institucioneve evropiane, si i dërguari special atje i Katerinë Ashton. Por unë kam biseduar dhe me institucione të tjera, fola me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Europës, me kabinetin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s si dhe me vende apo shtete të tjera të rëndësishme apo dhe me organizma të tjerë, siç është OSBE-ja, pasi të gjithë ne nevojitet që të jemi të bashkuar për sa u takon mesazheve që duam të përcjellim”, - tha më tej Fule.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›