Prokuroria: Nuk ka grup hetimi për Wikileaks
Tiranë Prokuroria e Përgjithshme njoftoi dje me anë të një deklarate të shkurtër se nuk po heton përmbajtjen e kabllogrameve të publikuara nga Wikileaks, pavarësisht të dhënave për afera në nivele të ndryshme politikanësh dhe zyrtarësh. Në një njoftim të saj, Prokuroria Shqiptare deklaron se nuk ka asnjë grup të posaçëm hetimor. Ndërsa në fjalinë e dytë, Zyra e Shtypit thotë se fton median të konfirmojë zyrtarisht informacionet që lidhen me aspekte të punës së këtij institucioni. Burime zyrtare pohuan të dielën se po kjo Prokurori po verifikon përmbajtjen e një sërë kabllogramesh, ku mund të ketë vend për një hetim të mundshëm penal. Edhe pse nuk ka asnjë vendim, zyrtarisht u konfirmua se një verifikim, qoftë dhe formal, është duke u kryer. Por pa kaluar tri ditë nga ky informacion i marrë në rrugë zyrtare, edhe pse pa njoftim, organi qendror i akuzës ndryshoi qëndrim duke bërë këtë radhë një deklaratë publike. Në këtë njoftim, me ose pa dashje, është harruar të përmendet fjala tashmë standarde në raste të vështira: verifikim. Duke e konsideruar verifikimin një procedurë normale, prokuroria nuk e pohon zyrtarisht një gjë të tillë, duke e bërë akoma edhe më konfuz pozicionin e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me një sërë faktesh të reja, që kanë dalë në dritë pas publikimit të kabllogrameve nga Ambasada Amerikane. Jo zyrtarisht, burimet pohuan se nuk bëhet fjalë për një grup hetimor, por për një grup verifikimi. Pikërisht diferenca mes hetimit dhe verifikimit ka bërë që Prokuroria e Përgjithshme të thotë zyrtarisht se nuk ka asnjë grup hetimi për këtë çështje. Nuk dihen arsyet përse Prokuroria ka mohuar punën e një grupi verifikimi, i cili tashmë është ngritur dhe prej disa ditësh po verifikon përmbajtjen e një sërë kabllogramesh që mund të shërbejnë për një hetim të mëtejshëm penal. Sipas burimeve, mësohet se pjesë e grupit të verifikimit janë edhe dy përkthyes të licencuar, të cilët kanë nisur nga puna për përkthimin e përmbajtjes së kabllogrameve, për të cilat prokurorët kanë shprehur interes. Ditët e fundit situata në Prokurorinë e Përgjithshme ka qenë kaotike, pasi çështja Wikileaks ka ngjallur dy qëndrime të kundërta mes prokurorëve. Një pjese e njerëzve të akuzës mendojnë se të dhënat e publikuara në faqen Wikileaks nuk mund të shërbejnë si indicie për nisjen e një hetimi të mundshëm, edhe pse disa prej këtyre të dhënave janë tronditëse, nëse do të konfirmohen. Ndërsa një pjesë e prokurorëve thonë se këto të dhëna mund të shërbejnë si indice, nëse do të mund të sigurohen informacione të tjera si fakte mbështetëse. Në disa kabllograme, ish-ambasadori amerikan John Withers informon Departamentin e Shtetit për një sërë rastesh korruptive, prej së cilave dalin të dhëna të reja dhe dëshmi të mohuara për organin e akuzës.