E Diel, 1 Nëntor 2026

PD: Të hetohen urdhëruesit dhe autorët e dhunës ndaj studentëve në Universitetin e Vlorës

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Drejtuesja e departamentit të Arsimit në Partinë Demokratike, Lili Sula, dënoi ndërhyrjen e policisë në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë dhe ndalimin e disa studentëve, duke e cilësuar ngjarjen si cenim të lirisë akademike dhe të së drejtës për protestë.

Në një deklaratë sot për mediet, Sula akuzoi Policinë e Shtetit për përdorim të dhunës ndaj studentëve dhe e lidhi ndërhyrjen me protestat e të rinjve në vend.

“Ndërhyrja e policisë në Universitetin e Vlorës, dhe ndalimi i disa studentëve, është akt i rëndë kundër lirisë akademike dhe të drejtës për protestë”, deklaroi ajo.

Sipas Sulës, dhuna e forcave të policisë synon të shuajë protestën e të rinjve.

Drejtuesja e Departamentit të Arsimit në PD i kërkoi Drejtorisë së Policisë së Vlorës të marrë masa ndaj punonjësve që ushtruan dhunë në mjediset e Universitetit, si dhe të mbajë përgjegjësi institucionale për ndërhyrjen.

“E drejta për të protestuar është e drejtë themelore në një shoqëri demokratike dhe nuk mund të trajtohet si cenim i rendit vetëm për shkak se shpreh kundërshtim ndaj pushtetit. Policia ka detyrimin të zbatojë ligjin dhe të mbrojë të drejtat e qytetarëve, jo të përdoret si mjet presioni ndaj studentëve”, u shpreh Sula.

Ajo i kërkoi Prokurorisë së Vlorës të nisë hetimet për të identifikuar dhe vënë para drejtësisë drejtuesit që urdhëruan ndërhyrjen, si dhe personat që ushtruan dhunë ndaj studentëve.

Sula u bëri thirrje prindërve dhe pedagogëve të mbështesin studentët dhe gjimnazistët në protestat e tyre, duke akuzuar qeverinë se, në vend që t’i dëgjojë kërkesat e të rinjve, po i dhunon dhe përçmon ata.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›