E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada gjermane, 40 mijë euro shtresat e varfra

Autori i Lajmit: red.
Ambasada e Republikës së Gjermanisë në Tiranë ka vënë një fond prej 40 mijë euro për realizimin e "projekteve të vogla", përmes të cilave, ofrohet në mënyrë të shpejtë, eficiente dhe të drejtpërdrejtë, ndihma për shtresat e varfëra të popullësisë në fshatra. Sabine Schultheis, përgjegjëse për projektet e vogla në seksionin e Ekonomisë në këtë ambasadë tha se "ambasada për vitin 2009 parashikon fondin prej 40.000 euro për mbështetjen e projekteve të vogla, dhe disa projektpropozime kanë mbërritur tashmë në Ambasadë".
Ambasada gjermane për vitin 2008 vuri në dispozicion rreth 30.000 euro për t u përdorur në dy projekte të vogla, duke bërë të mundur rinovimin e kopshtit të fëmijëve në Guras, Buçimas në Pogradec me fond prej 11.500 euro si dhe pajisjen e kafenesë alternative për të rinjtë që zgjedhin alternativën, larg nga rruga, në kuadër të ngritjes së Qendrës për fëmijë dhe të rinj "Arche Noah" në Dobraç, Shkodër.
Projekti i parë
"Përgjegjës për projektin e parë ishte NEHEMIA. "Ky projekt u financua nga ambasada gjermane, me një fond prej rreth 11.500,00 eurosh dhe u realizua nga organizata përgjegjëse e projektit NEHEMIA dhe komuna e Buçimasit", deklaroi Schultheis. Për të, "është një shembull i mirë që tregon se si me fondet e vëna në dispozicion nga ambasada, me angazhimin e vetë NEHEMIA-s, kryetarit të komunës dhe shkollës u arrit që të ngrihet një kopsht, në të cilin fëmijët ndihen mirë". Projekti tjetër i realizuar në 2008-tën nga ambasada e RFGJ, ishte pajisja e kafenesë alternative për të rinjtë që zgjedhin alternativën, larg nga rruga", në kuadër të ngritjes së qendrës për fëmijë dhe të rinj "Arche Noah" në Dobraç, në Shkodër. "Projekti është realizuar nga motrat e Bashkësisë së Rrugës Spirituale në Dobraç, me një financim prej 10.300 euro nga ambasada gjermane" nënvizoi përfaqësuesja e ambasadës gjermane. Në këtë projekt, grupi i synuar janë të rinjtë, të cilëve u ofrohet një alternativë tjetër nga ç afrojnë lokalet e zakonshme të zonës."Duke frekuentuar kafenenë alternative, të rinjtë kanë zgjedhur me ndërgjegje bashkëjetesën pa alkohol, pa drogë, pa duhan, pa armë dhe pa dhunë", tha Schultheis. Sipas saj, me këtë projekt mbështetet fryma e bashkëjetesës, kryerja së bashku e aktiviteteve, aftësia për të kapërcyer konfliktet pa dhunë. "Kafeneja alternative për të rinj është pjesë e një kompleksi tërësor të qendrës për fëmijë dhe të rinj "Arche Noah", ku kontribuojnë dhe donatorë të tjerë, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda pak ditësh", u shpreh Schultheis. Përfaqësuesja e ambasadës gjermane theksoi se për 2008-tën u parashikua realizimi edhe i një projekti të tretë për zgjerimin e një kopshti fëmijësh, për të cilin u caktua dhe fondi prej rreth 8.000 euro. Por ky projekt nuk arrit të realizohet, pasi sipas Schultheis, "nuk u arrit të sigurohej leja e domosdoshme për zgjerimin e kopshtit".
Afatet
Deri në fund të muajit mars, në Ambasadën gjermane presin propozim-idetë për përfitimin e fondeve për projektet e vogla. Schultheis tha se "Vetëm pas kësaj date mund të përzgjidhen nga propozimet e bëra, ato projekte që do të gëzojnë të drejtën e mbështetjes nga Ambsada". Sipas Schultheis, projektet duhet të përmbajnë ndihmë fleksibël, të shpejtë dhe efektive, të marin parasysh nevojat themelore të shtresave të varfra dhe më të varfra të popullsisë, por që nuk mund të financohen nga përfaqësues vendas (p.sh. OJF, grupe bamirësie, institucione lokale, institucione fetare etj). Për këto projekte duhet të kërkohen ndihmë financiare deri në 8.000 euro dhe në raste të mirëjustifikuara, deri në 13.000 euro.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›