E Diel, 1 Nëntor 2026

“Të merren parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e ndërkombëtarëve”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Mazhoranca qeverisëse është shprehur me dy qëndrime për çështjen e ligjit për Lustracionin, në lidhje me aplikimin dhe vërejtjet e ndërkombëtarëve. Deputeti i PD-së dhe ish-zëvendëspresidenti i KE-së ka kërkuar nga e djathta që të merren parasysh dhe të dëgjohen vërejtjet e bëra nga KE-ja dhe SHBA-të. Ndërsa deputeti tjetër i PD-së dhe njëkohësisht edhe zëdhënësi i grupit parlamentar të demokratëve është shprehur se opinioni publik shqiptar dhe organizmat e tyre si dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit kanë qenë të ftuar dhe kanë marrë pjesë në seancat dëgjimore në kohën kur ligji ishte duke u diskutuar. Ankimimet e njëpasnjëshme në Gjykatën Kushtetuese në adresë të ligjit të dosjeve, nuk shqetësojnë aspak Partinë Demokratike. Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD, Aldo Bumçi, në një dalje publike për media deklaroi se Kuvendi u ka ofruar grupeve të interesit mundësinë të ndërhyjnë në draft para se ai të votohej. Sipas tij, Komiteti i Helsinkit refuzoi të merrte pjesë në seancën dëgjimore në komisionin e ligjeve. "Gjithë kjo histori është zhvilluar para syve të opinionit publik, qëndrimet tona kanë qenë shumë të qarta, bëmë dhe seanca dëgjimore me grupet e interesit, që ishin shoqata e të përndjekurve politikë, grupi i të drejtave të njeriut, qendra për rehabilitimin e traumës dhe torturës. Ka qenë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, me sa mbaj mend nuk ka marr pjesë në seancën dëgjimore, por të paktën Kuvendi, në këtë rast Komisioni i Ligjeve, e ftoi të ishte në seancën dëgjimore ku do të merreshin parasysh dhe mendimet e tyre", - tha Aldo Bumçi. Bumçi pranon se, ndonëse ligji ka hyrë në fuqi, ende nuk ka nisur puna për ngritjen e Autoritetit të Verifikimit të Figurës, organi që do të hetojë të kaluarën e zyrtarëve të administratës. Por përballë refuzimit të socialistëve për të qenë pjesë e tij, anëtarët do të përzgjidhen nga shoqata që kanë të bëjnë me ish-të përndjekurit. Ndërsa në kontrast me deklaratat e Bumçit, deputeti Aleksandër Biberaj deklaron se mazhoranca duhet dhe do të dëgjojë pretendimet e ndërkombëtarëve për ligjin e lustracionit. Ai është dakord me aplikimin sa më parë të ligjit për “Pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë në Republikën e Shqipërisë”, por më parë duke bërë ato ndryshime që kërkojnë ndërkombëtarët. "Ligji i lustracionit është shumë i rëndësishëm, i cili absolutisht duhet zbatuar në Shqipëri. Ndonëse jemi me vonesë duhet të kemi parasysh që këtë ligj e kanë zbatuar të gjitha vendet e tjera të Evropës Juglindore. Gjithsesi, unë mendoj që ka hapësirë që mazhoranca të bisedojë me partnerët tanë strategjikë, me partnerët ndërkombëtarë, në mënyrë që të arrihet një kompromis i kënaqshëm. Pra, duke mos prekur thelbin e ligjit, por duke qenë në sinkron me qëndrimin e SHBA-ve, Britanisë së Madhe si dhe të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian", - tha Aleksandër Biberaj. Megjithëse ligji i lustracionit është votuar në Kuvend, faktori ndërkombëtar, si ai evropian ashtu dhe ai amerikan, i kanë bërë thirrje mazhorancës që të rishikojë disa nene të ligjit, të cilat në gjykimin e tyre bien ndesh me vete Kushtetutën e vendit. Vetëm dy ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi se shpreson që qeveria t i hedhë një vështrim të ri ligjit për pastërtinë e figurave me të njëjtin shqetësim, kushtetueshmëria e kësaj hapësire ligjore.

Prokurorët ankimojnë në Kushtetuese ligjin
Shoqata e Prokurorëve dërgoi sot në Gjykatën Kushtetuese një padi ku kërkon shfuqizimin si të paligjshëm të ligjit që miratoi Kuvendi për “Pastërtinë e Figurës së Zyrtarëve”. Shkëlqim Hajdari, sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë, konfirmoi se padia e dërguar në Gjykatën Kushtetuese ka si objekt të saj, vetëm shfuqizimin e nenit që lidhet me verifikimin e figurës së prokurorëve, duke konsideruar se ky nen bie ndesh me Kushtetutën dhe me të drejtat e njeriut. Më herët, ankesë dhe kërkesë për shfuqizim ligji të “Dosjeve”, kishte dërguar Partia Socialiste. Kurse një ditë më parë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese të marrë parasysh konsideratën e KSHH se ligji për “Dosjet” është në frymë të kundërt me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe normat ndërkombëtare.
Ky lajm është publikuar: 05/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›