E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada greke: E vërteta e vizave të kombëtares së boksit

Ambasada greke në Tiranë ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur pak ditë më parë, ku Kombëtarja shqiptare e boksit nuk u pajis me viza të vendit fqinj. Në këtë mënyrë, dorezat kuqezi janë privuar nga pjesëmarrja në Evropianin e zhvilluar në Athinë, mundësia e fundit për të arritur normën kualifikuese për në Lojërat Olimpike, "Pekin 2008". Por, me një deklaratë për shtyp, ambasada helene ka bërë të ditur qëndrimin e saj, duke sqaruar se çfarë ka ndodhur. "Disa botime që u paraqitën në një pjesë të shtypit shqiptar për mospranimin e supozuar nga ana e Zyrës Konsullore të Ambasadës së Greqisë për të pajisur me viza skuadrën shqiptare të boksit, nuk kanë asnjë lidhje me realitetin", citohej nga burime zyrtare të këtij institucioni. "E vërteta është se në datën 31 mars 2008, Zyra Konsullore i shërbeu, jashtë procedurës së përcaktuar, Federatës Shqiptare të Boksit, e cila kërkoi viza hyrjeje për në Greqi për 17 persona, prej të cilëve u paraqitën vetëm 8 persona". Ambasada ka pasqyruar edhe një episod të dyshimtë, në lidhje me atë që ka ndodhur: "Konkretisht u paraqitën 4 sportistë, të cilëve iu dha vizë pa taksë, një prej dy trajnerëve, si dhe tre persona të tjerë, të cilët u deklaruan si ‘vëzhgues‘. Katër të fundit nuk depozituan asnjë dokument që të dëshmonte raportin e tyre me Federatën Shqiptare të Boksit, deklaruan pamundësinë për të paraqitur një dokument të tillë dhe kërkuan që t‘u kthehen pasaportat e tyre pa vizë".

Deklarata e Ambasadës greke vazhdonte edhe më tej, duke shprehur keqardhjen e saj se në raste të tilla kjo çështje shndërrohet në një problem tendencioz. Ndërkohë, ata kanë premtuar se do të vazhdojnë të shërbejnë me të njëjtin profesionalizëm për të gjithë shqiptarët që aplikojnë për vizën e vendit helen. "Është për të ardhur keq që në media u paraqitën botime analoge të pasakta, sikurse për fat të keq ka ndodhur edhe në të kaluarën, por edhe që u bënë deklaratat përkatëse për këtë çështje. Përpara se të pranohen alternativa të tjera, të cilat ka mundësi të jenë paraqitur qëllimisht, jemi të gatshëm të japim një informim të saktë dhe autentik, përfundonte reagimi. Gjithsesi, Ambasada e Greqisë, gjithnjë me parimin e zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat, do të vijojë me të njëjtin profesionalizëm t‘u shërbejë qindra qytetarëve shqiptarë që aplikojnë për vizë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›