E Diel, 1 Nëntor 2026

Liverpuli, rinis "lufta e ftohtë"

Tom Hiks vazhdon "luftën e ftohtë" te Liverpuli. Veprimi më i fundit i bashkëpronarit amerikan ka qenë një letër në adresë të shefit ekzekutiv të klubit, Rik Perri, ku pretendon largimin nga detyra. Perri, nga ana e tij, e ka kritikuar këtë kërkesë, duke e cilësuar si të pavend dhe premtoi se nuk do të hiqte dorë. Hiks e ka justifikuar letrën me faktin se klubi ka dështuar komercialisht dhe se nuk ka arritur të blejë më shumë emra të mëdhenj të futbollit ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, amerikani ka konfirmuar reputacionin si një person që kërkon t‘i zgjidhë problemet e brendshme në publik (dhe mbi të gjitha në momente të papërshtatshme), pasi kërkesa është bërë vetëm pak ditë pasi Liverpuli u kualifikua në gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, pas fitores së bujshme me Arsenalin. Perri e ka përshkruar veprimin si një ofendim ndaj trajnerit Rafa Benitez, lojtarëve dhe tifozëve të skuadrës. Për "Sky Sports" ai tha: "Nuk e kam parë ende letrën. Më duket se ju gazetarët jeni më të informuar se unë rreth kësaj çështjeje dhe kjo tregon diçka. Gjithsesi mendoj se kërkesa për largimin tim nuk duhet të jetë lajmi kryesor te Liverpuli, pasi në qendër të vëmendjes meriton të jetë skuadra. Është një mungesë respekti për trajnerin, lojtarët dhe mbështetësit e klubit tonë, që në javën kur kemi arritur një tjetër triumf evropian të hapen debate dhe të tentohet përdhosja e reputacionit të dikujt". Shefi ekzekutiv vazhdoi duke thënë: "Asnjë individ, e sigurisht as unë, nuk është më i rëndësishëm se klubi. Liverpuli do të vazhdojë të ecë shkëlqyeshëm, megjithatë edhe një herë u konfirmua se drejtuesit nuk janë në unison. Unë po vazhdoj të punoj, ka ende punë për t‘u bërë". Perri konfirmoi se nuk do të largohej, ndërkohë që ka marrë edhe mbështetjen e bashkëpronarit tjetër të Reds-ave, Xhorxh Xhilet, i cili ka bërë të ditur se nuk është dakord me ultimatumin e partnerit të tij. Xhilet theksoi se nuk ishte në dijeni të faktit se Hiks po përpiqej të detyronte shefin ekzekutiv të klubit që të largohej. "Rik Perri gëzon mbështetjen tonë totale", tha ai. "Çdo veprim për largimin e tij duhet të aprovohet më parë nga bordi drejtues i klubit, që përbëhet nga gjashtë persona: unë, Foster (Xhilet), Devid Mores, nga vetë Riku (Perri), Tom Hiks dhe Tom Xhunjor. Nuk e kemi parë letrën dhe nuk jemi të përfshirë tek ajo".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›