Ambasadorët-Berishës: Kartat e identitetit, para zgjedhjeve
Ndërkombëtarët-Berishës: Kartat e identitetit, para zgjedhjeve
Partnerët ndërkombëtarët janë të vendosur që të mos tolerojnë Shqipërinë në asnjë hap fals në zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Të vetëdijshëm se pa dokumente dhe lista të sakta votuesish, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) në Tiranë i kanë kërkuar shtetit shqiptar që të marrë të gjitha masat, për të krijuar të gjitha kushtet për mbajtjen e një procesi të pakontestuar dhe konform standardeve të vendeve demokratike. Mesazhi është përcjellë nga përfaqësuesi i Komisionit Evropianë në Tiranë, Hubert Petit, i cili ka shfrytëzuar pjesëmarrjen në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave të printuara në Njësinë Bashkiake Numër 10, për t’i kërkuar drejtpërdrejtë kryeministrit Sali Berisha dhe institucioneve shtetërore që të bëjnë të pamundur që përpara zgjedhjeve të ardhshme të 2009, të realizojnë fillimisht një regjistër elektronik të sigurt, i cili do të shërbejë si bazë mbi të cilin do të hartohen së pari listat e zgjedhësve dhe kartat e identitetit. Shqipëria duhet të sigurohet për funksionimin e një Regjistri të besueshëm të Gjendjes Civile në kohë, përpara afateve të përgatitjes së listave të zgjedhësve dhe që të pajisë me dokumente identiteti, që janë në përputhje me standardet ndërkombëtare, të gjithë zgjedhësit, në kohë të mjaftueshme, përpara zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”,- tha kryetari në detyrë i delegacionit të KE-së, Hubert Petit. Gjithashtu ai ka vlerësuar se zhvillimi i sistemit modern të gjendjes civile vlerësohet si një çështje shumë e rëndësishme jo vetëm për të përmirësuar cilësinë e procesit zgjedhor, por edhe për një sërë shërbimesh të tjera tepër të domosdoshme për qytetarët, si kujdesi shëndetësor, taksat, sigurimet shoqërore, lëvizja e lirë e njerëzve, shërbimi postar, etj. “Është shumë thelbësore që qeveria shqiptare të përmbushë afatet për ngritjen e një sistemi adresash administrative, të nevojshme për sistemin e gjendjes civile. Në përputhje me ligjin “Për mbrojtjen e të dhënave personale” qeveria duhet të emërojë Komisionerin për Mbrojtjen e të Dhënave dhe të ngrejë Autoritetin për Mbrojtjen e të Dhënave, pa asnjë vonesë. Shqipëria duhet të garantojë se ekziston një gjendje civile e besueshme para afateve për përgatitjen e listave të zgjedhësve dhe dokumenteve të identitetit, në mënyrë që ato të lëshohen në mënyrë të mjaftueshme për votuesit, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009”, - tha Petit. Ndërsa Ambasadori i OSBE, Robert Bosch, i pranishëm në këtë ceremoni, nisur edhe nga fakti se pushteti lokal drejtohet përfaqësues të të gjitha partive politike, është shprehur se në këtë proces duhet angazhimi i të gjitha palëve. “Me qëllim arritjen e rezultateve të qëndrueshme, është e rëndësishme të ketë një angazhim të vazhdueshëm në të gjitha nivelet e procesit. Ministria e Brendshme dhe Zyrat e Gjendjes Civile janë të vetëdijshme për sfidën madhore që shtrohet para tyre për ruajtjen e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së sistemit të ri”,- ka thënë ambasadori Bosch. Bosch dhe Berisha kanë qenë për herë të parë në krah të njëri-tjetrit dje që pas debatit të zhvilluar kryesisht në media, por edhe në rangjet e përfaqësive diplomatike, për kërkesën e qeverisë shqiptare për largimin e misionit të OSBE-së nga Shqipëria.