Godo: PR nuk pajtohet me Ligjin 7501 për tokën
Partia Republikane si përfaqësuese politike e shtresës së ish-pronarëve nuk pajtohet me vendimin e kryeministrit Sali Berisha për të mbajtur ende në fuqi Ligjin 7501, ose siç njihet ndryshe ligjin “Për tokën”, me anë të të cilit u bë dhe ndarja e fondit të tokave të ish-kooperativave bujqësore. Një ditë pasi kryeministri Berisha deklaroi në mbledhjen e qeverisë se kishte gjetur mbështetjen e republikanëve për të mos shfuqizuar këtë ligj, ka reaguar ish-kryetari i PR-së, Sabri Godo, i cili është shprehur i prerë kundra përpjekjeve të dy forcave të mëdha politike për të mbajtur me çdo kush këtë ligj. “Berisha tha se Partia Republikane e ka pranuar Ligjin 7501. Unë jam nga ata që nuk mund të gjej pajtim ndërmjet pronës ligjore, tregut të lirë dhe Ligjin komunist 7501”, - u shpreh Presidenti i nderit të Asamblesë Republikane. Megjithëse janë për abrogimin e këtij ligji, republikanët duket se janë të detyruar përballë kartonëve dhe fuqisë së dy forcave të mëdha që të pranojnë realitetin, por duke kërkuar rishikimin e të gjithë zbatueshmërisë së 7501-it. Pavarësisht se nuk bëhet fjalë për një marrëveshje të shkruar në këtë drejtim, duket se republikanët, në pamundësi për të bërë më shumë, kanë pranuar në heshtje vetëm rishikimin e titujve të pronësisë. “Përsa i takon qëndrimit të Partisë Republikane, në tërësi, ne kemi kërkuar që në fillim së paku të revizionohet i gjithë Ligji 7501, të gjitha ndarjet që janë bërë me këtë ligj, sepse mendojmë se janë bërë abuzime pa fund. Neve ndodhemi përballë dy partive të mëdha që mbrojmë Ligjin 7501 dhe jemi të detyruar ta pranojmë këtë situatë, por të paktën të zbatohet ligji. Këtë e kemi kërkuar prej kohe dhe unë ndjeva lehtësim vërtetë kur dëgjova dje Berishën kur tha se të gjitha tokat që janë vjedhur nëpërmjet Ligjit 7501, duhet të kthehen”, - tha Godo.
Duke komentuar ligjin e ri “Për rishikimin e titujve të pronësisë” republikani Godo e vlerëson pozitivisht si nismë, pavarësisht se shprehet skeptik për zbatueshmërinë e tij në terren. Sipas tij, nga studimet e bëra rezultojnë se nga zbatimi i ligjit për shpërndarjen e tokave, janë konstatuar abuzime të mëdha, të cilat me anë të ligjit të ri, dhe gjithmonë në rast se do të ketë vullnet politik për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje, do të mund të rikuperohen shumë dëme që janë bërë me pronat. “Pyetja që shtroj unë për këtë, është a do të çohet deri në fund dhe a do të bëhet si duhet, sepse grabitja e tokës është bërë nëpërmjet dy ligjeve: atij me Numër 7501 ose siç njihet ndryshe ligji “Për tokën” dhe nëpërmjet ligjit tjetër, për dhënien në përdorim të 130 mijë hektarëve të fondit të tokave të ish-Ndërmarrjeve Bujqësore”, - u shpreh Godo.