Berisha: Bojkoti, urdhri më i gabuar i Ramës
Bojkoti, për Kryeministrin Sali Berisha, është urdhri më i gabuar i kryesocialistit Edi Rama. Z. Berisha e quajti dje një “gabim të rëndë” vendimin e socialistëve për të mos marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit për përmbytjet në Shkodër. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i qeverisë u shpreh se deputetët e opozitës, të cilët kërkuan këtë seancë, nuk u lejuan të merrnin pjesë, ndërsa tha se shpresonte që socialistët të reflektojnë në orët e mbetura. “Me një vendim zhgënjyes politik, ata që kërkuan të thirret seanca e jashtëzakonshme, nuk u lejuan dhe nuk lejohen që të marrin pjesë në debatin për një fatkeqësi madhore natyrore. Unë mendoj se ky është një gabim shumë i rëndë, sepse manipulimi me fatkeqësinë, manipulimi me forcat madhore natyrore është politika më kundërproduktive, më e gabuar dhe më e zhveshur nga çdo lloj morali. Sidoqoftë, uroj që këto orë që kanë mbetur nga seanca, të jenë orë reflektimi”, - tha Berisha. Dhe vetëm pak orë përpara fillimit të seancës së djeshme të jashtëzakonshme plenare për situatën e përmbytjeve në Shkodër, kreu i mazhorancës i kërkoi grupit parlamentar socialist të reflektojë dhe të marrë pjesë në këtë seancë të kërkuar nga vetë ata. Kreu i qeverisë vuri në dukje se deputetët janë të mandatuar për të qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit e për të përfaqësuar elektoratin që i ka përzgjedhur.
Sipas Berishës, deputetët socialistë, sidomos ata të Shkodrës, duhet ta ndiejnë në moral praninë në seancën e sotme për hir të votave që morën nga shkodranët.
"Nuk mund të gjendet kurajo për të mos marrë pjesë në këtë seancë shumë të rëndësishme", - u shpreh Berisha. Kryeministri Sali Berisha deklaroi më tej se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit për Shkodrën u thirr nga ana e opozitës dhe ai, si kryetar qeverie, e vlerësoi maksimalisht këtë. Por deklarata refuzuese që u bë më pas nga PS-ja, sipas Berishës, ishte më shumë se zhgënjim personal, por manipulim me fatkeqësitë e popullit. “Seanca për këtë qëllim u thirr me kërkesë të opozitës, të cilën kërkesë unë personalisht e vlerësova si të drejtë. Mirëpo me një vendim zhgënjyes politik, ata që kërkuan të thirret seanca e jashtëzakonshme, nuk u lejuan ose nuk lejuan të marrin pjesë në debat dhe unë mendoj se ky është një gabim shumë i rëndë, sepse manipulimi me fatkeqësitë, manipulimi me forcat madhore natyrore është politika më e gabuar, e fyer dhe e zhveshur nga skrupujt moralë”, - tha Berisha. Duke shfrytëzuar mbledhjen e PD-së, Berisha përfitoi për t’i bërë thirrje Partisë Socialiste të marrë pjesë në seancën e jashtëzakonshme për gjendjen në Shkodër dhe rrethinat e saj pas përmbytjeve të shkaktuara nga shkarkimi i hidrocentraleve mbi kaskadën e Drinit.