E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandatet, Berisha: Edhe “të dytët” e PS-së do t’i presim 6 muaj

Mazhoranca ka vendosur të “shpëtojë” për 6 muaj të tjerë mandatet e dyta të socialistëve, nëse edhe ata ndjekin rrugën e bojkotuesve të listës së parë. E djathta në pushtet do të presë edhe 6 muaj të tjerë për zëvendësimin e grupit të dytë të deputetëve socialistë, në rast se kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk tërhiqet nga bojkoti deri me datën 4 mars, kur skadon dhe afati kushtetues i mandateve të para. Kryeministri Sali Berisha për herë të parë, dje në pjesën jozyrtare të mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, informoi deputetët se ashtu siç pritën 6 muaj deputetët e parë, po kaq do të jetë pritja edhe për deputetët zëvendësues nëse ata sërish nuk pranojnë të hyjnë në Kuvend pas datës 4 mars. Burime brenda grupit bëjnë të ditur se për këtë lideri i mazhorancës iu referua Kushtetutës së Republikës, e cila e lejon sërish këtë afat kohor edhe për “të dytët” e PS-së. Por mësohet të ketë ndërhyrë deputeti Fatos Beja, i cili i ka kujtuar Kryeministrit se ky afat është i tejzgjatur, ndërkohë që Kodi i ri Zgjedhor parashikon djegie të mandatave të dyta brenda një muaji. Por z. Berisha i është kundërpërgjigjur: “Nuk mund t’i referohem Kodit Zgjedhor para Kushtetutës së Republikës, e cila është e shenjtë dhe ajo në mënyrë të qartë përcakton një afat kohor prej 6 muajsh, duke ruajtur të padjegura mandatet e dyta. Nga ana e saj kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, pak ditë më parë deklaroi se së shpejti ajo do të ndërmarrë masat për të zëvendësuar deputetët e Partisë Socialiste, nëse ata nuk paraqiten edhe në afatin e kërkuar 6-mujor që mbyllet me 4 mars. Topalli bëri të qartë se “Parlamenti do të mbledhë Këshillin Legjislativ dhe Sekretariatin e Rregullores dhe të Imuniteteve, të cilët do të bëjnë verifikimin e datave, të afateve që shkruhen në Kushtetutë dhe do të vënë në dijeni KQZ-në”. Në bazë të nenit 70 të Kushtetutës së Republikës:
1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues. 2. Deputetët nuk mund të ushtrojnë njëkohësisht asnjë detyrë tjetër shtetërore, përveç asaj të anëtarit të Këshillit të Ministrave. Rastet e tjera të papajtueshmërisë caktohen me ligj. 3. Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor dhe as të fitojnë pasuri të këtyre. 4. Për çdo shkelje të paragrafit 3 të këtij neni, me mocion të kryetarit të Kuvendit ose të një së dhjetës së anëtarëve të tij, Kuvendi vendos për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila konstaton papajtueshmërinë. Kurse sipas nenit 71 të Kushtetutës, mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. 2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit:
a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70, paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›