E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytjet, deputetët e PD-së, 35 milionë lekë ndihmë

Një fond i ri prej 35 milionë lekësh do t’u shkojë në ndihmë të prekurve nga përmbytjet e katastrofës natyrore dhe këtë radhë janë deputetët demokratë, të cilët do të ndajnë nga rroga e tyre mbështetjen financiare për banorët e Qarkut të Shkodrës. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi dje që çdo deputet i tij të kontribuojë me 500 mijë lekë nga paga e vet, si ndihmë për të prekurit nga përmbytja e këtyre ditëve në Qarkun e Shkodrës. Propozimi u bë nga një grup deputetësh dhe ai u miratua me unanimitet, ndërkohë që për mediat u konfirmua nga kryetari i grupit parlamentar të PD-së, z. Astrit Patozi. Deputeti i Elbasanit në mbledhjen e djeshme të grupit kuvendor, në emër të disa kolegëve të tij demokratë i propozoi grupit të deputetëve që të kontribuojnë me nga 500 mijë lekë secili nga 69 deputetët e PD-së për familjet e dëmtuara nga moti i keq në ultësirën e Nënshkodrës. Mbledhja vlerësoi se pavarësisht qetësimit dhe përmirësimit të situatës në zonat e përmbytura, është e domosdoshme që të mos shkëputet asnjë ditë vëmendja për të ndihmuar me të gjitha mjetet dhe mundësitë banorët në nevojë. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike shprehu mbështetje të plotë dhe vlerësoi punën e jashtëzakonshme të qeverisë dhe të agjencive të tjera shtetërore të angazhuara në terren për përballimin dhe kapërcimin e situatës së krijuar në Qarkun e Shkodrës, pas fatkeqësisë së rëndë natyrore. Në mbledhje u ra dakord se angazhimi dhe përkushtimi i çdo strukture shtetërore dhe i çdo deputeti do të vijojë deri në kthimin e gjendjes në normalitet të të gjithë zonës së përmbytur dhe në kompensimin e plotë të çdo qytetari të dëmtuar nga kjo fatkeqësi. Kryeministri Sali Berisha shprehu vlerësim për angazhimin e deputetëve demokratë në situatën e krijuar pas përmbytjeve në Shkodër, por edhe për banorët e kryeqendrës së veriut për mënyrën se si e përballuan emergjencën.
Gjithsesi për kreun e qeverisë shqiptare rëndësi në gjithë këtë katastrofë pati fakti që nuk humbi asnjë jetë njerëzore. “Kjo bëri që deputetët tanë të ulen në karriget në Parlament pa humbje të jetëve njerëzore. Ndërkohë në vende të tjera me potenciale shumë më të mëdha se Shqipëria, me përmbytje të së njëjtës përmasë ka pasur humbje”. Sipas Berishës, shkodranët akoma përjetojnë një ndër fatkeqësitë natyrore madhore, që ka goditur këtë rreth dhe fatkeqësia ishte shumë e rëndë. Shkodra dhe rrethinat e saj përjetuan vërshimin e disa miliarda metër kub ujë. “Mbi dy miliardë metër kub ujë nga kaskada e Drinit, por pothuajse po kaq, të pakuantifikuara nga lumenjtë e tjerë Kiri, Përroi i Thatë, Cemi, Moraça. Që të gjithë këta derdhen dhe ushqejnë liqenin e Shkodrës, që doli me lartësimin e ujërave të tij në disa lagje të qytetit”, - deklaroi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›