Akuza e Topallit: Ina Rama fshehu dokumentet
TIRANË- Në debatin për zbardhjen e çështjes së Gërdecit, Partia Demokratike ka dalë publikisht në mbrojtje të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Kjo duket jo vetëm nga përmbajtja e pyetjeve që deputetët e PD-së drejtuan dje në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, por edhe nga vetë deklarata e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila dje ka bllokuar sërish procedurën parlamentare për heqjen e imunitetit të deputetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, në Këshillin e Imuniteteve, duke mbajtur rrjedhimisht të bllokuar edhe hetimin e tij nga prokuroria. Kur ka kaluar më shumë se një muaj nga paraqitja e kërkesës zyrtare nga prokuroria për dhënie autorizimi për procedim penal ndaj Mediut, Kryeparlamentarja, me ndihmën edhe të deputetëve të mazhorancës, ka kërkuar për të dytën herë materiale shtesë nga organi i akuzës dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë. Në fund të seancës së djeshme, pasi ka dëgjuar për gati dy orë raportimin e ish-ministrit të Mbrojtjes në lidhje me këtë ngjarje, kryeparlamentarja Topalli, e informuar edhe për dosjen voluminoze të dokumenteve të paraqitura nga Mediu, ka shprehur keqardhje për dosjen e cunguar që, sipas saj, ka paraqitur prokuroria. Madje duke vlerësuar mbrojtjen që Mediu bëri para Këshillit, Topalli nuk ka ngurruar nga ana tjetër të akuzojë kryeprokuroren Ina Rama se në korrespondencën që ka zhvilluar me Kuvendin, ka fshehur disa dokumente për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. “Unë do ju vë në dispozicion 8 volume me shkresa dhe dokumentacione, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka ardhur nga prokuroria. Nuk i ka sjellë prokuroria për t’i vënë në dispozicion të Parlamentit, pra i janë i fshehur Parlamentit”,- u shpreh Topalli gjatë mbledhjes së Këshillit të Imuniteteve. Akuza e kryetares së Kuvendit ndaj Kryeprokurores vjen vetëm dy javë pasi deputetët e shumicës e cilësuan dosjen e paraqitur nga prokuroria në Kuvend, si të tepruar dhe tepër voluminoze. Ndërsa dje ata kanë kërkuar dokumente shtesë po nga organi i akuzës, duke mos ngurruar që të hedhin edhe akuza se pikërisht ky organ po fsheh dokumente. Ndërkohë i pyetur nga deputeti Safet Sula, se pse dokumentet e paraqitura gjatë seancës së djeshme nuk ishin në dosjen e paraqitur nga prokuroria, ish-ministri Mediu u përgjigj se, “rreth 80-90% e kësaj dosjeje, e cila sigurisht është plotësuar më tej, i është paraqitur prokurorëve të çështjes që më datë 19 mars”. Nisur nga ky fakt, me kërkesë edhe të deputetëve Arian Madhi dhe Astrit Bushati, Kryetarja e Kuvendit ka urdhëruar sekretaret që të përgatisin sa më parë shkresat zyrtare Prokurorisë dhe Shtabit të Përgjithshëm, për të vënë në dispozicion të Këshillit disa urdhëresa dhe tabulatet nga Qendra Operacionale e Forcave të Armatosura. “Sekretaria të marrë kërkesën e zotit Madhi dhe kërkesën e z.Bushati, për të sjellë komunikatat e përditshme nga Qendra Operacionale, mbi sasinë e municionit që ka kaluar në Gërdec. Ndërkohë unë do të kërkoja kohë edhe për t’i fotokopjuar, sepse aty mund të jenë rreth 5 mijë faqe dhe ju do t’i lexoni, në mënyrë që kur të fillojë bërja e raportit, të dini të gjykoni drejt”,- u shpreh Topalli, duke bërë të ditur njëkohësisht se materialet e paraqitura nga Mediu do të viheshin në dispozicion të deputetëve.