E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, “Topi të kërkojë analizë për shkeljen e ligjit”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste i kërkon Presidentit të Republikës, Bamir Topi, të bëhet garant për një analizë të plotë të të gjitha emërimeve të bëra në përfaqësitë tona diplomatike jashtë shtetit. Anëtari socialist i Komisionit të Jashtëm Parlamentar, Kastriot Islami, tha se këto emërime janë politike për shkak se është thyer kriteri i emërimeve jashtë karrierës. Ai theksoi se tre muaj para përfundimit të mandatit, shihet qartë që ligji i shërbimeve me jashtë është thyer disa herë. Islami sqaroi se PS nuk është kundër plotësimit të të gjitha vakuumeve në ambasada të ndryshme, por kjo duhet të bëhet vetëm në bazë të ligjit në fuqi dhe kritereve të mirëpërcaktuara të tij. Ai shtoi gjithashtu se ky vakuum vjen si pasojë marrëdhënies konfliktuale mes pushtetit Ekzekutiv dhe Presidentit të vendit, konflikt i cili, sipas Islamit, ka bërë që politika e ndjekur të paralizojë ambasadat.
Deklarata
“Vetëm 3 muaj para përfundimit të mandatit, shihet qartë se ligji i shërbimit me jashtë është thyer disa herë, gjë që e kemi bërë prezente në të gjitha rastet e emërimeve të ambasadorëve, por dhe të emërimeve të shërbimeve me jashtë që do të thotë që në shumë raste është thyer kriteri i emërimit jashtë karrierës. Pra ka emërime politike të ambasadorëve. Po kështu, në shumë nga ambasadat, por dhe në shërbimin me jashtë në Ministrinë e Jashtme, ka mjaft militantë që janë rekrutuar jo mbi bazën e kërkesave të shërbimit me jashtë”, - theksoi dje Islami. Deputeti i PS-së, njëkohësisht dhe anëtar i Komisionit të Jashtëm, theksoi se një fakt i tillë është evidentuar dhe në raportet e progresit të Komisionit Evropian. Më tej Islami vlerësoi si një problem po kaq të madh dhe mungesat në ambasada të ndryshme, por ai shtoi se këto mungesa nuk janë vetëm sepse është shkelur ligji, por dhe për shkak të konfliktit Qeveri-Presidencë. “Ka një marrëdhënie të acaruar, bile konfliktuale, mes Ekzekutivit dhe Presidentitt gjë që ka bërë që kjo situatë të jetë e bllokuar dhe e paralizuar dhe, në fund të fundit, këto kanë ndikuar dhe në imazhin e vendit në gjithë ato vende ku ne kemi dërguar njerëz politikë jashtë kritereve apo në ato vende ku kemi mungesa të titullarëve”, - pohoi ai. Në vazhdim të qëndrimit të selisë rozë, Islami i kërkoi Ekzekutivit dhe Ministrisë së Jashtme të bëjë një analizë të plotë dhe një program integral për këtë situatë. Edhe pse shprehu bindjen se Qeveria është e paaftë të bëjë një program të tillë, ai tha se PS është e gatshme të japë kontributin e saj në këtë drejtim. “Kështu që i kërkojmë Presidentit të Republikës të bëhet garant i kësaj analize dhe i këtij programi integral dhe të mos bëhet pjesë e emërimeve të pjesshme që mund të jenë thjesht për interesa të ngushta të qeverisjes aktuale”, - tha Islami, ndërsa sqaroi se kjo nuk ka të bëjë aspak me emra konkretë ambasadorësh. Emërimi i ambasadorëve ka treguar qartë konfliktin mes Presidencës dhe Qeverisë. Vetëm dy ditë më parë është mësuar se kryeministri Berisha ka tërhequr kandidaturën e Mal Berishës për ambasador në Gjermani. Pas muajsh të tërë heshtjeje nga ana e presidentit Topi, e cila u përkthye si refuzim, qeveria do të dërgojë një emër tjetër në tavolinën e Kreut të Shtetit. Bëhet fjalë për Valter Ibrahimin, i cili është propozuar për të zënë vendin e mbetur bosh prej disa muajsh për shkak të mbarimit të mandatit të Gazmend Turdiut. Ibrahimi është aktualisht ambasador i Shqipërisë në Austri.
Ky lajm është publikuar: 07/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›