E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Nuk ka epidemi, nevojiten web-site informuese për automjekim

Autori i Lajmit: red.
Ndonëse rastet e paraqitura në spitale me simptoma gripale janë rritur ditët e fundit, strukturat shëndetësore përjashtojnë mundësinë e një epidemie gripi. Bazuar në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik, rreth 9 mijë raste në javë paraqiten në spitale me këto simptoma, që sipas mjekëve, janë të natyrshme në këtë sezon. "Që të kemi një epidemi, duhet që java pasardhëse të ketë dyfishim të rasteve, krahasuar me atë paraardhëse", - sqaroi zv.ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Duke evidentuar faktin se aktualisht ka probleme të sëmundjeve infektive, zv.ministri Ivanaj tha se "sipas të dhënave, kemi rritje të numrit të rasteve të prekura nga infeksionet virale, për të cilat mendojmë se janë viruset e gripit, pasi të dhënat e para flasin për këtë". Ai shtoi se "të dhënat tregojnë se kjo rritje është në të njëjtin trend sikurse dhe vitet e kaluara. Sipas statistikave nga ISHP, jemi në atë që quhet pragepidemie , por infeksionet gripale janë sezonale, nuk janë jashtë sezonit". Zv.ministri Ivanaj garantoi ndërkohë, se "strukturat shëndetësore janë në gatishmëri dhe po monitorojnë çdo ditë situatën". Megjithatë, zv.ministri i Shëndetësisë e vuri theksin në nevojën për edukimin e pacientëve, si faktor që mund të shmangë problemet lidhur me infeksionet gripale. Sipas tij, ky problem është bërë pjesë edhe e reformës që po ndërmerret në sektorin e shëndetësisë. "Këtë çështje shumë të rëndësishme shpresojmë që ta rregullojmë së shpejti me hapat që po marrim për reformimin e sistemit shëndetësor, ku përfshihet dhe edukimi i pacientëve mbi çështjet e infeksioneve virale, kur duhet shkuar në spital", - tha Ivanaj, duke shtuar se "duhet ta edukojmë siç duhet prindin për kujdesin ndaj fëmijës". Sipas tij, për këtë qëllim, në botë janë organizuar ëeb-site informuese mbi atë që quhet "automjekim".
Ky lajm është publikuar: 07/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›