E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e Bolonjës , 1500 firma nga studentë e pedagogë

Autori i Lajmit: red.
Studentët, të mbështetur edhe nga pedagogë, kanë dalë sërish në protestë për çështjen e diplomave. Madje, këtë radhë ata kanë paraqitur edhe një peticion të firmosur nga 1500 të rinj, duke kërkuar nga Ministria e Arsimit të zbatojë ligjin për arsimin e lartë. Protestës së studentëve i janë bashkëngjitur edhe një pjesë e stafit akademik, të cilët kanë firmosur peticionin. Kjo protestë ishte paralajmeruar prej disa ditësh nga studentët, por dje pjesëmarrja ishte shumë e vakët, pasi ka nisur sezoni i provimeve dhe një pjesë e studentëve janë duke u përgatitur për testimin e njohurive. Studentët shprehen se protesta e tyre do të vazhdojë, derisa Ministria e Arsimit të zbatojë ligjin. Në mbrojtje të studentëve ka dalë edhe deputeti i PS-së Musa Ulqini, i cili dje në një deklaratë për shtyp ka bërë të ditur se Grupi Parlamentar i PS do të fillojë javën e re të punës me kërkesën që ministri i Arsimit të përgjigjet përpara Kuvendit në lidhje me këtë çështje. “Ministria e Arsimit, përgjegjëse për të zgjidhur edhe problematikën universitare, pasi ka shkaktuar një revoltë studentore lidhur me zhvleftësimin total të diplomave, nuk angazhohet të zgjidhë problemin, por i nxjerr studentët nga auditorët në rrugë”,- ka thënë Ulqini përpara gazetarëve. Sipas Partisë Socialiste, arsimi është dhe do të mbetet një ndër problemet kryesore më shqetësuese, i cili kërkon zgjidhje të menjëhershme. “Nëse kemi tre vjet që shpërndajmë me bollëk ”diplomat e papunësisë”, me zhvleftësimin e fundit që po u bëjmë atyre, kemi nisur procesin e ri të shpërndarjes së ”diplomave të varfërisë”, është shprehur Ulqini.
Ky lajm është publikuar: 07/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›