E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët, Topit: Dialogu institucional, i domosdoshëm

TIRANE- Presidenti Topi priti në zyrën e tij ambasadorin e KE në Tiranë, Lohan dhe atë të mbretërisë së Spanjës Montobio. Sipas njoftimit zyrtar të Presidencës, dy diplomatët e lartë i prezantuan Kryetarit të Shtetit shqiptar programin politik dhe diplomatik të presidencës spanjolle dhe përparësitë e saj gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Presidenti Topi edhe në këtë takim ritheksoi faktin se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është përparësi kryesore e politikës së jashtme shqiptare dhe se ne jemi të vetëdijshëm për përpjekjet madhore dhe sfidat që duhet të përballim për realizimin sa më të shpejtë të kësaj aspirate. Por gjatë bisedës, sikundër informon institucioni i Presidencës personalitetet e larta diskutuan gjithashtu dhe për zhvillimet aktuale në vend, duke u përqendruar veçanërisht tek situata politike, si dhe në domosdoshmërinë e dialogut dhe bashkëpunimit politik e institucional për vazhdimin e reformave jetike për vendin tonë, ku në mënyrë të veçantë u theksua rëndësia e reformës në drejtësi. Në këtë takim, Ambasadori Lohan dhe Ambasadori Montobio, pasi e njohën kreun e shtetit shqiptar me programet dhe objektivat e ardhshme të Bashkimit Evropian, sidomos pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe krijimit të strukturave të reja drejtuese, shprehën mbështetjen e tyre për inkurajimin e forcimit të demokracisë dhe fuqizimit të rolit të institucioneve si dhe përmbushjen sa më parë të aspiratave integruese të popullit shqiptar. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›