Ndërkombëtarët thirrje opozitës të thyejë bojkotin
TIRANE- Ndërkombëtarët vijojnë ti bëjnë thirrje opozitës për të lënë mënjanë bojkotin dhe për tju rikthyer jetës parlamentare. Ambasadori spanjoll, vendi që mban presidencën e radhës në BE ka vlerësuar me nota negative bojkotin e opozitës nga ana e opozitës , duke e ftuar atë të shkojë në Parlament. Një ditë pas zhvillimit të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit dhe kur opozita u deklarua se do të vazhdojë të mos jetë pjesë e tij , deri në plotësimin e kërkesës, hapjen e kutive. Ambasadori spanjoll në Tiranë, i shoqëruar dhe nga ai i Komisionit Europian, Lohan i ka shprehur këtë opinion kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Sipas njoftimit për shtyp të parlamentit mësohet se duke folur për zhvillimet politike në vend, Ambasadori spanjoll është shprehur se Kuvendi është vendi për opozitën dhe se bojkoti nuk është i mirë për vendin dhe demokracinë. Në këtë mënyrë, deklarata e Ambasadorit spanjoll bëhet e disata thirrje për opozitën shqiptare. Duke folur për zhvillimet politike edhe kryetarja e Kuvendit i ka shprehur ambasadorëve opinionin se Kushtetuta e vendit është e qartë dhe se ajo do të zbatohet, duke lënë kështu të kuptohet zëvendësimi i deputetëve të Partisë Socialiste. Një paralajmërim të tillë numri një i Parlamentit, ua bëri deputetëve të PS disa ditë më parë nëpërmjet një letre individuale që i nisi secilit prej tyre. Ambasadori spanjoll Montobio është shprehur gjithashtu se presidenca spanjolle e BE mbështet dy objektivat e Shqipërisë, heqjen e vizave dhe anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ambasadori Montobio është shprehur se zgjerimi i BE është një prej prioriteteve të kësaj presidence, tashmë dhe pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Takimi i dy ambasadorëve me kryetaren e Kuvendit ka zgjatur 45 minuta dhe pas takimit ata nuk kanë pranuar të shprehen për mediat. (e.n/News24/BalkanWeb)