MPJ: Zgjedhjet në Maqedoni, tregues i zhvillimit demokratik
Ministria e Jashtme e Shqipërisë përshëndeti mbajtjen e zgjedhjeve të së dielës në Maqedoni duke nënvizuar se procesi zgjedhor u mbajt në një atmosferë të qetë dhe normale.
Sipas faqes zyrtare të Ministrisë së Jashtme zgjedhjet në Maqedoni shihen si një tregues i zhvillimit të qëndrueshëm demokratik të vendit.
"Vlerësojmë se pjesëmarrja e gjerë në votime dhe administrimi demokratik i gjithë procesit është shprehje të angazhimit serioz politik dhe qytetar, në shërbim të stabilitetit dhe përparimit të Maqedonisë e rajonit"-thuhet në njoftim.
Ndër të tjera në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme shprehet bindja se përmbyllja me sukses e procesit zgjedhor nga partitë shqiptare është shumë e rëndësishme për zhvillimin e reformave, të procesit të integrimit dhe zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.