Ambasadorët, Zogaj: Jo prapavijë politike
Mazhoranca ka vetëdijen e plotë se ambasadorët e rinj nuk janë zgjedhur mbi baza politike, por profesionale. Kryetari i Komisionit të Jashtëm, Preç Zogaj, kundërshtoi dje pretendimet e opozitës se emërimet e fundit të ambasadorëve shqiptarë kanë prapavijë politike. Zogaj reagoi ndaj bojkotit të Partisë Socialiste në komision, e cila bojkotoi mbledhjen nga ku u miratuan tri kandidaturat e reja për ambasadorë të Shqipërisë. Konkretisht, Shpëtim Çaushi, i cili do të përfaqësojë shtetin shqiptar në Beograd; Valter Ibrahimi, i cili do të na përfaqësojë në Gjermani dhe Edmond Kraka për në Lisbonë të Portugalisë. “Presidenti dekreton ambasadorët edhe ditën e zgjedhjeve, madje fryma e ligjit është e atillë sa kërkon ta ndajë diplomacinë nga politika. Ligji për shërbimin e jashtëm është ligj që zbatohet përgjatë gjithë kohës, nuk i nënshtrohet ndonjë kalendari politik”, - tha Zogaj.