Piktura që i kushtoi 33 vite burg
Gjatë revoltës së Spaçit më 21 maj 1973, Mersin Vlashi pikturoi flamurin pa yll. Ishte dënuar me 8 vite burg, por ky veprim i kushtoi edhe 25 vite të tjera pas kangjellave të burgut. I gjykuar që në moshën 18-vjeçare me akuzën për agjitacion-propagandë, Vlashi bëri gjithsej 33 vite burg. Dje festoi ditëlindjen në spitalin e Sanatoriumit ku shkoi për ta takuar edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Gjatë një bisede të ngrohtë e miqësore me piktorin shtatëdhjetë e njëvjeçar, i cili dje festoi dhe ditëlindjen e tij, Presidenti Topi i shprehu urimet më të mira për shërim të shpejtë, shëndet të mbarë dhe një jetë sa më të qetë e të mirëqenë pranë familjarëve dhe njerëzve të dashur. Z. Vlashi e falënderoi kreun e shtetit për vizitën dhe interesimin, duke shprehur mirënjohjen sidomos që: “I është gjendur gjithmonë pranë duke e mbështetur fuqimisht shtresën e ish-të persekutuarve politikë”. Kryetari i shtetit çmoi aktin e guximshëm të z. Vlashi gjatë revoltës së Spaçit më 21 maj 1973, kur ai pikturoi flamurin pa yll që i kushtoi vite të tjera burg. Lidhur me këtë vizitë, Presidenti Topi iu përgjigj interesimit të gazetarëve duke u shprehur: “Ishte një vizitë njerëzore tek një njeri i vuajtur. Z. Vlashi, i cili ka një histori shumë të dhimbshme, por do të thosha shumë krenare, një njeri që brenda mureve të burgut”.