E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët britanikë vizitojnë Mitrovicën

Gjendja aktuale politike, ekonomike dhe e sigurisë në Mitrovicë, ishte tema që u diskutua të enjten mes ambasadorëve të Mbretërisë së Bashkuar në Beograd dhe Prishtinë, Michael Davenport dhe Ian Cliff me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati.

Ambasadorët britanikë u interesuan edhe për rrethanat në veri, duke pasur parasysh politizimin e skajshëm që ekziston atje. Gjithashtu ata deshën të dinë më tepër për raportet ndëretnike, për nivelin e bashkëpunimit të Komunës me ICO, UNMIK-un në veri etj.

Duke folur për situatën e sigurisë, kryetari Kastrati theksoi se në jug të qytetit gjendja është stabile edhe përkundër tensioneve të larta në veri. Ai tha se qytetarët janë treguar shumë të përgjegjshëm dhe nuk kanë reaguar në mënyrë të pamatur.

“Kjo është fryt i pjekurisë qytetare dhe i punës së mirë ndërmjet institucioneve që janë koordinuar vazhdimisht”, ka thënë kryetari.

Sipas tij, një situatë tjetër është në veri.

“Atje funksionojnë strukturat paralele serbe, të cilat pengojnë integrimin e qytetarëve serbë në institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Kastrati.

Në këtë kontekst, ai shtoi se këto struktura bëjnë politikën e Beogradit në Kosovë, me qëllim të krijimit të realiteteve të paqena dhe sabotimit të shtetit të Kosovës.

“Strukturat paralele me presion dhe kërcënime i mbajnë qytetarët serbë pezull dhe nuk i lejojnë që të integrohen në institucionet kosovare”, u shpreh ai.

Kryetari Kastrati tha se nëpërmjet shantazheve dhe kërcënimeve ata mbahen edhe nëpër barrikada, të cilat janë vendosur prej tyre në rrugët magjistrale në veri.

“Politika e barrikadave ka për qëllim krijimin e një pozicioni kushtëzues nga ana e serbëve kur flitet për Kosovën”, theksoi Kastrati, duke shtuar se si pasojë e bllokimit të rrugëve është rënduar se tepri gjendja e qytetarëve, sidomos atyre të komuniteteve joserbe.

Ai përmendi banorët shqiptarë të fshatrave të Leposaviqit, mandej ata të lagjeve veriore, ku mungon lëvizja e lirë.

“Është një situatë e padurueshme që kërkon vendosmëri të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë për largimin e barrikadave dhe vendosjen e rendit dhe ligjit”, ka thënë Kastrati, duke përmendur edhe punën e bërë nga Komuna për kthimin e të zhvendosurve në pronat e tyre.

Sipas tij, rindërtimit i Lagjes së Romëve dhe kthimi i banorëve aty është rrëfimi më i suksesshëm i kthimit në gjithë vendin.

Ndër të tjera, kryetari Avni Kastrati tha se edhe në veri është duke vazhduar procesi i rindërtimit të shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në luftë, por nënvizoi se rindërtimi në veri dhe kthimi i shqiptarëve të zhvendosur prej atje është shumë më problematik për shkak të politikës refuzuese të strukturave paralele dhe grupeve kriminale serbe. /Kosovapress/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›