E Diel, 1 Nëntor 2026

Kotani: “Zogu e pengoi ardhjen e hebrenjve”

Autori i Lajmit: Denisa KONA
...Ku bazohet teza juaj se Zogu e ka penguar ardhjen e hebrenjve këtu?

Në fund të vitit 38 e fillimin 39-s, shumë hebrenj nga Austria, nga Polonia, gjetën rrugë dhe mundësi dhe erdhën në Shqipëri. Kjo bëri bujë të madhe në botë, shkruan gazetat në Itali, në Hungari, sepse nuk donin që të vinin hebrenjtë këtu. Nuk e shihnin me sy të mirë. Atëherë, qeveria e Zogut, në janar 1939 me një Vendim të Këshillit të Ministrave vuri si kusht, që çdo hebre që kërkon të hyjë në Shqipëri në çdo formë, si turist, si kalimtar apo për tu vendosur këtu, duhet të ketë me vete 250 franga ari, një shumë e madhe. Kur e pa që u kapërcye kjo pengesë, në 25 shkurt të vitit 39 nxorri një vendim tjetër dhe e rriti në 500 franga. Kushti tjetër ishte që “shteti që i ka dhënë vizën për në Shqipëri, të shënojë në pasaportë që e pranon përsëri të kthehet atje”. Ai u vuri kushte penguese hebrenjve. Ardhja e tyre këtu nuk i detyrohet atij.

-Po Xhafer Deva, që bënte pjesë në qeverinë kuislinge, çfarë roli ka luajtur?

Negativ. Mos shikoni se çfarë kanë shkruar në huajt, janë fakte të zbukuruara.

-Si erdhën hebrenjtë në Shqipëri atëherë? Si mundën që të futeshin?

Erdhën me dokumente false, erdhën ilegalisht. Me grupe kanë ardhur me dokumente nga Kosova, sepse në Kosovë kishte shumë hebrenj, mbi 550. Kur gjermanët pushtuan Jugosllavinë dhe hynë në Mitrovicë, lëshuan një urdhër që të gjthë hebrenjtë të grumbullohen në një kamp dhe tu dorëzohen autoriteteve gjermane. Një oficer italian, që nuk u identifikua dot, të cilin e vranë më pas gjermanët, njoftoi autoritetet e vendit. Atëherë prefekti i Prishtinës, Hysen Prishtina dhe doktor Spiro Lito që ishte mjek në spital shkuan dhe iu lutën autoriteteve italiane, që të gjernin rrugët për të mos lejuar dorëzimin e hebrenjve në duart e gjermanëve.

-Pra, kemi rastin kur një oficer italian saboton gjermanët nga brenda. Por çfarë qëndrimi kanë mbajtur italianët në tërësi ndaj hebrenjve?

Do tju flas më poshtë. Kështu, Doktor Litoja nxorri që 60 prej tyre ishin të prekur nga tifoja e morit dhe duhej të largoheshin patjetër. Këta u nisën me një makinë për në Shqipëri. Ndërsa, prefekti i Prishtinës e bëri problem tek Mustafa Kruja- në atë kohë kryeministër dhe ky bisedoi me Francesko Jakomonin që ishte mëkëmbësi i Mbretit të Italisë në Shqipëri. I lutet që ti ndihmojnë hebrenjtë të mos bien në duart e gjermanëve. Ai e dha pëlqimin dhe me flotë shoqërimi, hebrenjtë erdhën këtu nga Prishtina. Grupi i parë ka ardhur më 5 prill 1942 prej 100 vetash dhe është vendosur në Berat. Grupi i dytë prej 195 vetash, pas dy muajsh është vendosur në Kavajë dhe grupi i tretë është vendosur në zonën e Krujës, në Fushë-Prezë. Aty ka qenë një qendër grumbullimi. Këto nuk mund ti quajmë kampe, por qendra grumbullimi. Sepse shpesh janë quajtur edhe si kampe përqëndrimi, por në këto qendra nuk ka pasur keqtrajtime, as punë të rënda.

-A ka pasur kamp përqëndrimi të nazistëve në Shqipëri?

Po, ka pasur në Burrel, atje kanë qenë rreth 15 hebrenj, por për fat nuk u dënuan. Italianët në përgjithësi, autoritetet ushtarake dhe civile, i trajtuan butë izraelitët, ndërsa kuesturat fashiste shpesh kanë kërkuar marrjen e masave më të rrepta ndaj tyre. Kështu përshembull, kuestura e Beratit i propozon Ministrisë së Brendshme, që 39 hebrenj si persona të dyshimtë dhe me rrezikshmëri politike, të vendosen në një kamp më të sigurt. Të njëjtën gjë bëri edhe kuestura e Kavajës. Megjithatë, asnjë masë nuk u mor ndaj hebrenjve. 28 hebrenj janë vendosur në repartin e marangozëve në Kavajë, ndërsa hebrenjve të Durrësit iu lejua tu vinin para nga Zvicra nëpërmjet bankës “De Napoli”.

-Ju po tregoni për hebrenjtë e vendosur nëpër qendra. Po nëpër familjet shqiptare, sa kanë qendruar?

Ka pasur edhe nëpër familje, por më shumë në qendra. Edhe në atë kohë janë bërë tri rregjistrime. Me kapitullimin e Italisë, ai që komandonte qendrën e komandimit në Kavajë, thërret nja 2-3 hebrenj, gris listat në sytë e tyre dhe u thotë: “Shkoni shpëtoni kokat ku të mundni”. Atëherë ata ikën nga kjo qendër grumbullimi dhe u strehuan nëpër familje. Nga këta, më shumë ka strehuar doktor Kristidhi, një mjek i dëgjuar, tani nuk jeton, por ka vajzën të martuar me Pirro Milkanin, Margaritën. Ky i mbante një kohë, pastaj i strehonte diku gjetkë, që të mos binin në sy.
Kur erdhën gjermanët në Shqipëri, u krijua një rrezik i madh për hebrenjtë. Gjermanët kërkuan listat, lëshuan urdhra për denoncimin e tyre. Por listat nuk iu dhanë. Unë gjeta një praktikë ku 20 fshatra të Komunës së Shupalit të Tiranës, në përgjigjje të urdhrit të komandës gjermane, banorët lëshonin deklarata me shenjën e gishtit, me vula apo me emra, sipas nivelit arsimor, ku deklaronin që në fshatin tonë nuk ka hebrenj. Në të vërtetë fshati ishte i mbushur me të tillë. Hebrenj ka pasur në Zallherr, në Shëngjergj, në Shupal. Komuna bënte një përmbledhëse, ku thoshte se “sipas deklaratave të kryepleqve të fshatrave të juridiksionit tone, rezulton se ky juridiksion nuk ka çifutë”. Këtë kur e kërkova më vonë që ta botoja si faksimile, nuk e gjeta dhe nuk e gjeta dhe më ka mbetur merak edhe sot e kësaj dite.

-Ka të vërteta, në pretendimin që gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ka qenë një vend asnjëanës dhe se ka pasur marrëveshje me palën gjermane dhe aktorët ndërkombëtarë për të mos i ngacmuar hebrenjtë e vendosur këtu?

Nuk është aspak e vërtëtë. Hebrenjtë përndiqeshin këtu si në çdo vend tjetër. Për këtë flasin arrestimet e tyre. Në atë kohë u arrestua Nisim Bahar në Fier, u vu buzë lumit për tu pushkatuar. E ka shpëtuar Ismail Gjata, pronar i një fabrike mielli, i cili hyri në bisedime me gjermanët. Rasti tjetër, u arrestua Jasha Barukoviç në Shkodër dhe u nis për në kampet e përqëndrimit. Në Lajthizë të Pukës prishet makina që i transportonte dhe një shqiptar që ishte aty, shkon në klubin e Ali Sheqerit dhe i thotë që kanë marrë një hebre dhe duan ta çojnë në kampet e shfarosjes. Atëherë ky për ta shpëtuar, fton gjermanët për ti qerasur në klubin e tij. Ndërkohë jep porosi që hebreu të ikë të fshihet në pyll, se pastaj do ta ndihmojmë ne. Kur shkojnë gjermanët, nuk e gjejnë në makinë dhe kthehen e kërcënojnë të zotin e lokalit. Ky i thotë: “Po ratë në gjurmë, më lajmëroni edhe mua të mbledhim fshatarët e ta kapim”. E kështu i humbi dyshimet. Deri vonë ka pasur korrespondencë me këtë djalë hebre. Mark Menaheni ka qenë inxhiner dhe pedagog. U arrestua dhe u shpëtua nga Vasil Noci që kishte një fabrikë alkooli në Elbasan. Aty vinte një kolonel gjerman që pinte vazhdimisht. Me ndihmën e tij, e liroi Markun. Ndërsa në Tiranë, kur filluan kontrollet, Marku strehoet në një grua në rrugën “Naim Frashëri”, Dhorka Kovaçi Kolonja, që për fat të keq, nuk e gjeta dot këtë person. Ajo paska qenë e internuar. Por cila ka qenë historia e saj? Marko vete në shtëpinë e saj. Kur vijnë gjermanët, Dhorka e futi në krevatin e vet dhe fle me të. I shoqi u bë si shërbëtor dhe doli tek porta. I thanë: “Ke njeri të huaj këtu? “Jo, nuk kam,- tha ai.- Është zonja me zotërinë në krevat, akoma nuk janë zgjuar”. Kur hyjnë gjermanët, i gjejnë në shtrat dhe dalin. Marku më ka thënë mua: “Unë sa të vdes, nuk do tia harroj atë të mirë që më ka bërë ajo familje”.
Ndërsa familja e Fail Bicakut nga Librazhdi ka marrë me kafshë maleve një grup të madh hebrenjsh dhe i ka çuar në majë të Qarishtës. Atje kishte një shtëpi dhe bagëtinë. Nga rreziku nazist, këta u detyruan të ndërrojnë pasaportat, emrat, të vishen si fshatarë, të ikin nga një zonë në tjetrën, të maskuar. Në Molisht dhe në fshatrat e tjerë të Beratit si dhe në Zallher të Tiranës e disa fshatra të Vlorës janë strehuar shumë hebrenj. Kjo tregon të kundërtën e asaj që thuhet, se gjermanët nuk i përndoqën hebrenjtë në Shqipëri. Kam faktuar 15 raste urdhrash, kontrollesh, arrestimesh nga nazistët.

-Ka ndonjë evidencë të saktë se sa është numri i familjeve që kanë strehuar apo ndihmuar fshehjen e hebrenjve? Dhe a mendoni se mund të ketë ende familje të paevidentuara?

Janë verifikuar në Shqipëri dhe në Kosovë 125 familje që kanë strehuar dhe shpëtuar hebrenj. Kanë kaluar nëpër situata shumë të rrezikshme. Nga këta, shteti izraelit ka dekoruar vetëm 35 vetë, sepse kanë vënë si kusht, që duhet të japin deklaratë hebrenjtë e shpëtuar apo pasardhësit e tyre. Mirëpo ata nuk kanë ku të gjenden, nuk kanë vendosur dot lidhje.

Ky lajm është publikuar: 09/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›