E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët e BE-së: Kujdes zgjedhjet, duhet të jenë të lira dhe të ndershme

Tiranë- Pas raport-progresit të KE-së për Shqipërinë, kanë reaguar përmes një deklarate të përbashkët ambasadorët e BE-së në vendin tonë. Duke pranuar arritjet e bëra nga Shqipëria, ata shprehen të shqetësuar për një sërë problemesh, për të cilat theksojnë se janë vendimtare në rrugën e integrimit të vendit në familjen evropiane.

Funksionimi i administratës, lufta kundër krimit të organizuar, trafikut për qëllime seksuale, korrupsioni, sistemi gjyqësor janë disa nga sektorët shqetësues për ambasadorët. Ndërkohë që sfidë kryesore për ta mbeten zgjedhjet parlamentare, suksesi i tyre do të jetë me rëndësi qëndrore për marrëdhëniet mes BE dhe Shqipërisë. “Ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme”- theksojnë ambasadorët.

“Krerët e shteteve të BE-së dhe të qeverive në vitin 2003 kanë vlerësuar se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian, impenjim ky që mbetet i pakontestueshëm. Shqipëria po e vlerëson këtë ofertë dhe po bën lëvizje drejt BE-së. Konkluzionet ebëra nga këshilli evropian në dhjetor të vitit 2006 kanë rinovuar të drejtën për zgjerim: avancimi në pistën evropiane varet nga realizimi i kushteve të nevojshme që duhen plotësuar. Kështu cdo vend do të gjykohet mbi bazën e meritave të veta”- thuhet në deklaratën e përbashkët.

Raporti i fundit i KE-së, sipas ambasadorëve, ka konfirmuar progreset e bëra në Shqipëri, por ka nënvizuar edhe probleme. “Shqipëria po zbaton pa pengesa marrëveshjen e stabilizim asocimit duke shënuar progres në reforma kyce politike si ajo elektorale, me konsensus mes partive. Por ai saktëson edhe sektorët në të cilat duhet të bëhen ndërhyrje”- thuhet më tej.

Deklarata nënvizon problemet në sektorin e administratës publike. “Një nga sfidat kryesore të Shqipërisë është ajo e ndërtimit dhe forcimit të strukturës administrative. Për shembull largimi i kuadrove të trajnuar e të aftë nga vendet e punës ka krijuar probleme në polici dhe departamente të tjera të administratës”- thuhet në deklaratë.

Sipas saj, sistemi gjyqësor funksionon dobët, me mungesa në pavarësi, në dhënien e llogarisë, transparencës dhe strategji të paqartë për reformën.

Korrupsioni është përshkruar si një problem i rëndë për Shqipërinë. Lufta kundër korrupsionit, në mënyrë të vecantë në sektorin e drejtësisë, mbetet një element thelbësor për partneritetin.

Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar janë shënuar vetëm progrese të limituara dhe ky mbetet një problem serioz në Shqipëri, sepse ka mungesë kapaciteti për angazhim në operacione afatgjata që do të godisnin nivelet e larta të krimit të organizuar.

Ndërkohë që në luftën kundër pastrimit të parave, sipas ambasadorëve, përpjekjet janë vetëm në faza fillestare.

“Mbetet ende shumë për të bërë në luftën trafikut të qënieve njerëzore. Trafiku i brendshëm për qëllime seksuale është në rritje. Burimet njerëzore në dispozicion të luftës kundër emigracionit klandestin vazhdon te jetë e pamjaftueshme”- thuhet në deklaratë.

Në fund, po jo për nga rëndësia, ambadadorët bëjnë apel për garantimin e zgjedhjeve. “Një tjetër sfidë kyce për Shqipërinë do të jenë zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, që janë një cështje e rëndësisë së veçantë. Suksesi i tyre do të jetë me rëndësi qëndrore për marrëdhëniet mes BE dhe Shqipërisë. Ato duhet të jenë të lira dhe të ndershme”- thanë ata.

Ambasadorët e BE-së, inkurajojnë Shqipërinë të forcojë punën në kryerjen e reformave, në mënyrë të vecantë në sektorët për të cilët raporti i fundit i KE-së ka konstatuar pak progres.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›