E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrau dy shtetas, kërkohet burgim i përjetshëm

SHKODËR - Burgim të përjetshëm për 34-vjeçarin Valentin Ftoni dhe 20 vite burg për Paulin Kolën kërkoi prokuroria për të akuzuarit për vrasjen e Gac Vastomës dhe Behar Becajt. Ngjarjet për të cilën akuzohen dy të pandehurit kanë ndodhur në vitet 1998 dhe 2001. Sipas prokurorisë, Ftoni, i cili gjykohet në mungesë, është dhëndri i të pandehurit tjetër, Paulin Kolës. Të dy ata, në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë vrarë në gusht të vitit 1998, në fshatin Ças të Velipojës Gac Vastomën. Tre vjet më pas, ata akuzohen të kenë vrarë për hasmëri Behaj Becajn, 24 vjeç, në lagjen “Guerile” të Shkodrës. Gjatë seancave gjyqësore është thirrur për të dëshmuar vëllai i viktimës Gac Vastoma, i cili para trupit gjykues ka treguar si autorë të vrasjes dy të pandehurit. Sipas prokurorisë, vrasja e Behar Becajt ka lidhje me vrasjen e babait të Kolës nga daja i viktimës. Por ky person ndodhet i dënuar me burgim të përjetshëm. Si rrjedhojë, për të marrë gjakun e të atit, Paulin Kola vendosi të vrasë 24-vjeçarin Becaj. Por, përveç këtyre dy vrasjeve, Valentin Ftoni, i cili është ende në kërkim, është dënuar në mungesë nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër me 25 vjet heqje lirie. Ky dënim për ftonin është dhënë për vrasjen e bashkëshortëve Gjelosh e Ardjana Markaj, të ekzekutuar në Velipojë, në shtator të vitit 2000. Ndërsa mbi Kolën rëndon akuza e “vjedhjes me dhunë”, e cila është kryer gjatë vitit 2001. Në fund të paraqitjes së fakteve nga prokuroria, avokatët e dy të pandehurve kërkuan kohë për të paraqitur konkluzionet përfundimtare, duke e shtyrë seancën në një datë tjetër. Arrestimi i Kolës nga policia u realizua në vitin 2007.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›