E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e BE-së kërkuan që Kolegji të vepronte lirisht



Vetëm pak orë para se Kolegji Zgjedhor të merrte në shqyrtim ankimimet e partive politike, ambasadorët e vendeve të BE-së dhe ambasadori amerikan kryen një takim me gjyqtarët e Kolegjit dhe më pas dolën me një deklaratë ku kërkuan mbarëvajtjen normale të procesit. Ambasadorët e Bashkimit Evropian i bënë apel administratës zgjedhore të përmbyllte sa më parë procesin zgjedhor, duke theksuar edhe njëherë rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit në integrimin e vendit në Unionin Evropian. Përmes një njoftimi të përbashkët për shtyp nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, Ambasada e Republikës Federale Gjermane, Ambasada e SHBA-ve, e Suedisë dhe Delegacioni i Komisionit Evropian në Tiranë në të cilën thuhej se vlerësimi final i zgjedhjeve do të bëhet në bazë të trajtimit të animimeve dhe apeleve. Deklarata erdhi menjëherë pas takimit të zhvilluar në kolegjin zgjedhor ku morën pjesë, Shefi i Delegacionit të Komisionit Evropian dhe Ambasadorët e Mbretërisë së Bashkuar, Republikës Federalë te Gjermanisë, dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në deklaratën e përbashkët citohet se duke pasur parasysh ndërhyrjet që u vunë re në procesin e numërimit të votave nga partitë politike dhe presione ndaj administratës zgjedhore, përfaqësuesit diplomatikë theksuan rëndësinë e rolit të Kolegjit Zgjedhor dhe të një procesi gjyqësor të pavarur. Sipas ambasadorëve, këto zgjedhje janë një test i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe gatishmërisë për të ecur përpara drejt integrimit të mëtejshëm në BE. Me tej thuhet se Komuniteti Ndërkombëtar vazhdon të ndjekë nga afër procesin elektoral dhe se përfaqësuesit diplomatikë nxitin administratën zgjedhore dhe partitë politike të punojnë konstruktivisht për një mbyllje të suksesshme të procesit zgjedhor, drejt formimit të një qeverie legjitime. Sipas Kodit, subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshme. Ankimimet e subjekteve politike duhet të paraqiten në Gjykatën e Apelit, Tiranë, e cila ia kalon ato Kolegjit Zgjedhor. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankimim në Kolegjin Zgjedhor për mosmarrje të vendimit brenda afatit ligjor nga KQZ-ja. Në këtë rast Kolegji Zgjedhor nuk e gjykon çështjen në themel dhe, kur pranon kërkesën, vendos detyrimin e KQZ-së për të marrë vendim.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›