E Diel, 1 Nëntor 2026

Reuters: Standardet e zgjedhjeve penalizuan Shqipërinë në rrugën drejt BE-së



Albert Gjoka

Nëse procesi zgjedhor do të kishte përfunduar dhe do të ishin shpallur rezultatet, ditën e nesërme, shefat e diplomacive të Bashkimit Europian do ti jepnin dritën jeshile Shqipërisë për të marrë statusin e vendit të kandidatit. Tashmë, shpresat janë të vakëta edhe për në fund të tetorit, ndërkaq, Islanda, që prej ditës së hënë nis shtegtimin drejt anëtarësimit në familjen europiane. Tirana zyrtare është “bojkotuar” nga zyrtarët e lartë të Brukselit që zhvilluar gjatë dy javëve të fundit vizita në disa kryeqytete të rajonit. Agjencia e njohur e lajmeve “Reuters” tha se BE ka marrë në konsideratë kërkesën për anëtarësim të Islandës dhe ka lënë pa përgjigje aplikimin e paraqitur nga qeveria Berisha në prill të vitit 2009, ndonëse vendet fqinje të Shqipërisë e kanë mbështetur marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ndëshkimi
Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se kërkesa e Shqipërisë nuk është marrë në konsideratë “bazuar në shqetësimet në lidhje me zgjedhjet e fundit dhe kundërshtitë që kanë disa shtete anëtare për zgjerimin e BE-së. “Mbështetësit e Shqipërisë për integrimin në BE, të udhëhequr nga Italia, Austria dhe Greqia, po ushtrojnë presion mbi BE-në që t’i kthehet kërkesës së Shqipërisë për anëtarësim sapo të kenë përfunduar procedurat zgjedhore. Njëri prej tyre ishte kryediplomati Italian Franko Fratini, i cili akuzoi pak ditë më parë burokratët e Brukselit se po mbajnë në sirtarë padrejtësisht kërkesën e Tiranës zyrtare. Por, mësohet se të hënën, ministrat e Jashtëm të Brukselit do të shprehin perspektivat e anëtarësimit për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe theksojnë se do të shqyrtojnë dhe kërkesën e Shqipërisë pasi procedurat zgjedhore të kenë përfunduar- vazhdon agjencia e lajmeve Reuters.
Zgjedhjet
Zgjedhjet janë test kryesor për hapat e mëtejshme të integrimit të Shqipërisë në BE. Kjo ka qenë fraza e artikuluar vazhdimisht nga kancelaritë europiane deri më 28 qershor. Por, tashmë që kanë përfunduar votimet, dhe ende nuk është mbyllur procesi nga KQZ-ja, kanë mbërritur në valë kritikash për qeverinë dhe partitë politike në lidhje me standardet. Cenimi i tyre, sidomos gjatë numërimit të votave, pritet të sjellë “ndëshkime” për vendin tonë përsa i përket ecurisë së integrimit. Në deklaratën paraprake të OSBE/ODIHR-it, më 29 qershor 2009, përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare të NATO-së, lëshoi kritika të ashpra për mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet.
Kryeministri Berisha paraqiti kërkesën për statusin e vendit kandidat vetëm disa javë para zgjedhjeve të 28 qershorit, gjë që solli reagime kritike nga zyrtarë të lartë në Bruksel dhe përfaqësuesit e vendeve për momentin në të cilin u zgjodh dorëzimi i aplikimit. Pak ditë para datës së zgjedhjeve Komisioni Europian dha sinjale jo pozitive për Shqipërinë edhe përsa i përket lëvizjes së lirë, duke mos hequr vizat Brenda afateve të deklaruara nga qeveria Berisha.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›