E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI: Rama na grabiti mandatin e dytë



Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini, akuzoi dhe kryetarin e Partisë Socialiste për grabitjen e mandatit të dytë të PDI-së në Qarkun e Fierit. Muhedini tha se Rama ka grabitur mandatin e dytë të PDI-së në Fier nëpërmjet bllokimit të zgjedhjeve në tre qendra votimi në Portëz, rrethimit të dhunshëm të vendit të numërimit të votave, si dhe kërcënimeve dhe shkeljeve flagrante në qarkun e Fierit. "Këtë grabitje Rama e kreu edhe me ndihmën e Kolegjit Zgjedhor, i cili, ashtu si edhe në 2007-ën, u gjunjëzua nga presioni politik i Partisë Socialiste dhe nga deklaratat e kryetarit të saj”, tha Muhedini, duke shtuar se "ankimimi në Kolegjin Zgjedhor ishte shpresa e fundit për drejtësi për mijëra votues që votuan PDI-në, por ky Kolegj legalizoi vjedhjen kriminale të fituar me vota të lira nga ne”. Muhedini siguroi se "nuk do të ndalemi asnjëherë së denoncuari këtë grabitje të votës së lirë të qytetarëve". Partia për Drejtësi dhe Integrim në zgjedhjet e 28 qershorit ishte pjesë e koalicionit " Aleanca e Ndryshimit" në sajë të një marrëveshje parazgjedhore me Partinë Demokratike. Nga zgjedhjet e 28 qershorit PDI mundi të fitojë një mandat deputeti në qarkun e Vlorës.

27 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›