E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ambasadorët e BE-së shtojnë kritikat ndaj qeverisë

Dy ditë pas publikimit të Progres-raportit, reagojnë ndërkombëtarët në Tiranë. Ambasadorët rrëzojnë tezat e fushatës së kryeministrit Berisha

Eljona Ballhysa
Vetëm dy ditë pas publikimit të Progres-raportit të Komisionit Europian për zhvillimet në Shqipëri, kanë reaguar dje ambasadorët e akredituar në Tiranë të vendeve të BE-së. Në një deklaratë për mediat ambasadorët kanë shtuar dozën e kritikave ndaj qeverisë, ndërsa kanë zbehur dhe ato nota pozitive të raportit të KE-së. Sipas ambasadorëve, në Shqipëri përbën ende shqetësim korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e pavarësisë së institucioneve dhe shkarkimet politike në administratën publike, ndërsa zgjedhjet parlamentare mbeten një sfidë për ecurinë e proceseve integruese. Sikurse shihet, deklarata e ambasadorëve i jep një “shuplakë” të fortë çështjeve që janë trajtuar si prioritet dhe si arritje e qeverisë “Berisha”. Nëpërmjet deklaratës së djeshme ambasadorët e BE-së kanë rrëzuar tezat e përdorura nga kryeministri Berisha gjatë turit që ka ndërmarrë në të gjitha rrethet e vendit. Kjo deklaratë e ambasadorëve të BE-së është në vazhdën e një deklarate të mëparshme të mbajtur gjatë konfliktit të qeverisë me Prokurorinë e Përgjithshme.
Deklarata
Ambasadorët e Bashkimit Europian në Tiranë, në një deklaratë të përbashkët, pas publikimit të progres-raportit për Shqipërinë, kanë bërë thirrje që qeveria të tregojë më shumë kujdes ndaj korrupsionit, ndërsa shprehen se vendi ka treguar progres të limituar në luftën kundër krimit të organizuar dhe ky mbetet një problem serioz për Shqipërinë. “Sistemi gjyqësor po funksionon dobët për shkak të mangësive në pavarësi, përgjegjësi, transparencë dhe pamjaftueshmërisë së një strategjie të duhur për reformat në Gjyqësor. Lufta kundër korrupsionit, veçanërisht në Drejtësi, por edhe në të tjera fusha, mbetet një prioritet kyç për Bashkimin Europian”, - theksojnë ambasadorët e BE-së. Përsa u përket zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, ambasadorët theksojnë se ky zhvillim politik përbën një sfidë për Shqipërinë, për të arritur standardet e kërkuara nga BE-ja. “Një tjetër sfidë me të cilën përballet Shqipëria, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me zgjedhjet legjislative të vitit 2009. Zgjedhjet përbëjnë një çështje shumë domethënëse për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Shqipëri-BE, ndaj ato duhet të jenë të lira dhe të drejta”, - shkruhet në deklaratën e ambasadorëve të akredituar në Tiranë. Ambasadorët kanë ngritur me shqetësim shkarkimin e nëpunësve të administratës, të cilët janë trajnuar për atë post. Sipas deklaratës, në zonat e administrimit publik duhen përpjekje më të mëdha për të themeluar pavarësinë e mirëfilltë nga institucionet dhe një shërbim civil më efikas. Një nga sfidat më të rëndësishme për Shqipërinë është që të ndërtojë dhe të fuqizojë pushtetin administrativ, si dhe zbatimin e kritereve për të punësuar njerëz kompetentë. “Largimi apo zhvendosja e personave të mirëtrajnuar nga postet përkatëse ka ndikuar negativisht në sektorin policor dhe në të tjera departamente administrative”, - bëhet e ditur në deklaratën e ambasadorëve. Megjithatë, ambasadorët theksojnë se janë të gatshëm ta ndihmojnë Shqipërinë në veçanti në fushat ku ka një progres të limituar, ndërsa ofrojnë mbështetje për integrimin në BE.
Precedenti
Vetëm pak kohë më parë ambasadorët e vendeve të BE-së në Tiranë zhvilluan një takim në ambientet e Ambasadës Franceze, ku biseduan rreth situatës politike në Shqipëri. Më pas ambasadorët nënshkruan një deklaratë të përbashkët, nëpërmjet së cilës i bënë thirrje qeverisë që të respektojë parimet e kushtetutshmërisë, ku bëjnë pjesë pavarësia ndaj institucioneve si dhe llogaridhënia ndaj ligjit. Në deklaratën e tyre ambasadorët e BE-së shprehën shqetësimin për zhvillimet e fundit në lidhje me sistemin e drejtësisë në Shqipëri. “Këto zhvillime mund të sjellin ndërhyrje të tepërta dhe konflikte të mundshme mes institucioneve në vend. Ne u bëjmë një thirrje të fortë të gjithëve, kryesisht qeverisë, të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e të cilave është edhe llogaridhënia përballë ligjit”, - bëhet e ditur në deklaratën për shtyp të ambasadorëve të BE-së në Shqipëri. Ky qëndrim i ambasadorëve është bërë për konfliktin midis qeverisë dhe Prokurorisë për çështjen “Fazlliç”.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›