E Diel, 1 Nëntor 2026

Statistikat gri të trajnerëve të skalionit të dytë



Java e 10-të e Kategorisë Superiore ka një ngjashmëri absolute me javën e 9-të dhe të 4-t të kampionatit maksimal shqiptar. Referenca është statistikore, pasi në javën e dhjetë të Kampionatit të 70-të Kombëtar do të debutojnë dy trajnerë të rinj: vlonjati Edmond Liçaj i Flamurtarit dhe serbi Esad Karishik i Apolonisë. Sërish mbetën tre të huaj në bankinat shqiptare, përfshirë edhe Daliçin e Dinamos e Slishkoviçin e Tiranës. Deri tani “valsi tradicional i bankinave” ka prekur gjashtë skuadra, të renditura nga vendi i 8-të e deri te ai i 12-i (i fundit), me përjashtim të Besës, që ndodhet në vendin e 5-të pas dhjetë javëve: Besa (Haxhiaj-Daja); Bylis (Sejdini-Dume-Dedja); Lushnja (Malko-Bici); Partizani (Lika-Duro); Apolonia (Haxhiu-Karishik) dhe Flamurtari (Kovaçiç-Liçaj). Por si i nisën debutimet trajnerët “rezervë”. Le t’i hedhim një sy statistikave të përballjeve. Shifrat nuk janë optimiste: 1 fitore (Dume), 1 barazim (Bici) dhe 3 humbje (Daja, Dedja, Duro).
Java 4: Dume - Daja
Faruk Sejdini dha dorëheqjen e parevokueshme nga Bylisi, i ringjitur në Superligë si kampion i Kategorisë së Parë, pas tre humbjeve rresht në tre javët e para. Në vend të tij u komandua Dashnor Dume, i cili fitoi në takimin e parë të tij kundër Lushnjës (1-0). Trajneri Iljaz Haxhiaj, edhe pse barazoi në javën e tretë me Besën e tij i paraqiti dorëheqjen e presidentit Nexhat Bizhdili. Në vend të tij u ul Ilir Daja (dy tituj kampion si trajner). Në ballafaqimin e parë në Peqin, ish-trajnerin i Dinamos humbi me Shkumbinin 1-0, por ndeshja u shoqërua me incidente në dhomat e zhveshjes në pushimin midis pjesëve.
Java 5: Dedja
Pas Dashnor Dumes, në stolin e ballshiotëve erdhi një emër i respektuar i trajningut shqiptar, si Hysen Dedja. Debutimi i tij nisi me humbjen në Shkodër me Vllaznisë (1-0), një skuadër të cilën e kishte nxjerrë kampione si trajner.
Java 9: Duro - Bici
Hasan Lika, pas një dorëheqjeje të papranuar, më në fund arriti të bindë presidentin Xhani për të gjetur kompromisin e largimit pas humbjes 0-2 me Dinamon. Në vend të tij të te 15-herë kampionët e Shqipërisë erdhi Shpëtim Duro, që për fat të keq e nisi me humbje me Shkumbinin (0-2) në Tiranë. Vasil Bici zëvendësoi Saimir Malkon në stolin e Lushnjës. Ish-trajneri i njohur i gjashtë ekipeve në Superligë, përfshirë Dinamon, Shkumbinin, Vllazninë, Teutën, Besën, Kastriotin, e nisi me një barazim 1-1 kundër Teutës.
Java 10: Liçaj-Karishik
Kroati Slavko Kovaçiç dha dorëheqjen nga Flamurtari pas barazimit të bardhë me Bylisin në Vlorë, duke u bërë i pari i larguar nga tre trajnerët kroatë që drejtojnë në Shqipëri këtë sezon. Tani bankinën kuqezezë të klubit shqiptar më të famshëm në Europë e ka “pronësuar” Edmond Liçaj, i vetmi që ka fituar një titull kampion me Flamurtarin. Sfida e parë e ish-trajnerit të Shqipërisë U-19 e U-17 është ajo kundër Dinamos së vendit të dytë e me një trajner kroat ambicioz si Zllatko Daliç. Trajneri serb i Apolonisë, Esad Karishik, do ta nisë aventurën e parë në futbollin e panjohur, sipas tij, me një sfidë të vështirë në Peqin, ndaj një Shkumbini ambicioz e që risynon sërish vendin e dytë pas Tiranës. Apolonia nuk është në ditët më të mira dhe jashtë fushës nuk ka një bilanc për ta ndjerë veten të kënaqur. Përballë Shkumbinit me sulmin më të mirë në kampionat (13 gola në nëntë javë) vështirë se Karishiku të marrë pikë.

STATISTIKA

Java 4
Ilir Daja: Shkumbini-Besa 1-0 (humbje)
Dashnor Dume: Bylis-Lushnja 1-0 (fitore)

Java 5
Hysen Dedja: Vllaznia-Bylis 1-0 (humbje)

Java 9
Vasil Bici: Lushnja-Teuta 1-1 (barazim)
Shpëtim Duro: Partizani-Shkumbini 0-2 (humbje)

Java 10
Esad Karishik: Shkumbini-Apolonia (08.11)
Edmond Liçaj: Flamurtari-Dinamo (09.11)

Duro: “Besa e vështirë, por do të guxojmë”

Pas dështimit me Shkumbinin (0-2) në kryeqytet, trajneri i dytë sezonal i Partizanit, Shpëtim Duro, do të tentojë të marrë pikë në fushën e vështirë të Besës, në ndeshjen hapëse të javës së 10-të (ora 14:00). Partizani, gjatë nëntë javëve të para, ka pësuar gjashtë humbje, teksa sezonin e kaluar, kur u shpall në nënkampion i vendit për herë të 19-të, pësoi në 33 javë vetëm katër humbje. Të “kuqve” u janë larguar tre brazilianët (Roma, Bruno e Kastelani), por në dispozicion të teknikut nuk do të jetë as mesfushori i Kombëtares, Elis Bakaj (i pezulluar) e mbrojtësi i njohur Fatjon Tafaj. Trajneri Duro: “Besa është një kundërshtare e fortë dhe në të gjitha parametrat është superiore ndaj nesh në aspektin moral, të pikëve dhe në organikën që ka”. Besa, që të dielën barazoi 1-1 me Tiranën, kryesuesit në “Qemal Stafa”, aktualisht ndodhet në vendin e 5-të, me 15 pikë, dhjetë më shumë se Partizani i vendit të fundit. Nga statistikat e 15-herë kampionëve të Shqipërisë veçohet një fakt: e vetmja fitore në 9 javët e para është realizuar në transfertë (ndaj Lushnjës), ndërkohë që në shtëpi 15-herë fituesit e Kupës së Shqipërisë nuk kanë mundur të fitojnë asnjë nga katër takimet e luajtura në Tiranë.

Cana, i mërzitur nga mbrojtja

Emri që përmendet më shumë te Marseja është ai i Lorik Canës. Arsyeja është e thjeshtë. Gjatë katër ndeshjeve të fundit të Olimpikut të Marsejës, mesfushori shqiptar është përdorur si qendërmbrojtës. Në fakt ka qenë një zgjedhje e detyruar e trajnerit Erik Gerets, duke parë dhe dëmtimin e Ronald Zubarit dhe formës të pamjaftueshme të Elaminë Erbat. Nëse nuk do të kishin ndodhur këto situata, Lorik Cana, sipas faqes franceze myfreesports.fr, nuk do të dëshironte kurrë të luante në mbrojtje, por në vendin e tij të dëshiruar, zonën shkatërruese të mesfushës. “Për momentin, vendosja ime në qendër të mbrojtjes nuk është gjë tjetër veçse një zgjidhje e momentit, në pritje të kthimit të Ronald (Zubar) pas një kohe të shkurtër dhe sidomos të Zhylien Rodriguezit, i cili së shpejti do të jetë në fushë”, - citohet Cana nga faqja franceze. Në mesfushë Cana është i padiskutueshëm për vlerat dhe kontributin e tij, por në mbrojtje ka shfaqur disa pasiguri që i kanë kushtuar jo pak ekipit të tij. Media elektronike franceze përmend si rastin më flagrant humbjen e rendë të Marsejës 2-4 kundër Paris Sën Zhermenit, në të cilën Cana bëhet fajtor për tre nga katër golat e pësuar. Në kundërt, kur ai ka luajtur në rolin e tij natyral në mesfushë, Marseja ka pësuar shumë pak gola. Lojtari më seksi i Ligës së parë franceze dëshiron tani më shumë mesfushën. Ndihet i lodhur nga mbrojtja.

Te Kotbusi i Skelës, kush flet kundër, gjobitet

Situata në shtëpinë e Energi Kotbusit nuk është ndër më të mirat.
DPA, agjencia gjermane e lajmeve, kujton edhe grindjen midis Dimitar Rangelovit e Ervin Skelës, por përmend edhe deklarimin e presidentit të Eneri Kutbisit, Ulriq Lepsh, për gjoba drastike në rast përsëritje. Madje kush guxon të kalojë kufirin e pret një ndëshkim shembullor. Shembulli flet qartë. Lojtari i Kombëtares maqedonase, Igor Mitreski, për kritikat e tij të hapura ndaj klubit gjerman u gjobit me 10 mijë euro dhe pezullim me afat të papërcaktuar. Deklarata e Mitrevskit te “Kicker”: “Në klub mbizotëron një atmosferë e keqe. Ne nuk kemi më një grup të bashkuar lojtarësh ashtu si sezonin e kaluar. Nëse nuk blejmë lojtarë të rinj në merkaton dimërore, do të zbresim nga kategoria”. Mitrevski kishte një kontratë deri në vitin 201, por nuk është i vetmi lojtar i kritikuar.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›