E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përplasja për Kakomenë shkon në prokurori

Konflikti midis banorëve të
Kakomesë dhe firmës "Riviera"
ka përfunduar në dyert
e prokurorisë. Përfaqësuesit e
"Rivieras", që në bashkëpunim me
kompaninë më të madhe në botë
të turizmit, "Klub Med", dhe me
partnerë amerikanë, janë duke
zhvilluar projektin më të madh
turistik në vend, kanë denoncuar
dje një sulm nga një grup banorësh
të fshatit Nivicë. Sipas denoncimit,
grupi prej 15 personash, të kryesuar
nga kryekomunari Vladimir
Kumi, ka bllokuar në mënyrë të
paligjshme mjetet e firmës.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Komunës
Nivicë pretendojnë se kanë
kryer një veprim të ligjshëm, për t‘i
dhënë fund bllokimit të rrugës së
Kakomesë. Kryekomunari Vladimir
Kumi tha se këshilli i kësaj komune
ka marrë një vendim për largimin e
mjeteve të kompanisë "Riviera"
nga rruga e Kakomesë, pasi vetëm
kështu do të ndalej protesta e banorëve,
që kanë bllokuar prej tri
ditësh rrugën. Kumi thotë se janë
mbajtur procesverbale për gjendjen
e mjeteve dhe më pas, këto
mjete, të vozitura nga persona të
caktuar nga komuna, janë zhvendosur
në një parking në qendër të
Komunës Lukovë, ku mbahen në
ruajtje dhe firma mund t‘i marrë
kur të dëshirojë. Kundërshtimi i
banorëve të Nivicës ndaj projektit
për ndërtimin e një fshati turistik
atje, ka nisur në vitin 2004 dhe në
dukje ka pretendime të pronësisë
mbi tokën. Gjatë këtyre katër viteve,
qeveritë shqiptare krijuan gjithë
hapësirën e nevojshme që Agjencia
e Kthimit dhe Kompensimit të
Pronave të analizonte pretendimin
e tyre. Në 2007-ën, Agjencia e Kthimit
dhe Kompensimit të Pronave rrëzoi
përfundimisht pretendimin e
banorëve dhe në muajin korrik të
këtij viti, u rinovua leja e ndërtimit
për realizimin e punimeve në fshatin
turistik në Kakome.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›