E Diel, 1 Nëntor 2026

Denoncimet për trojet në bregdet, Prokuroria heton vendimet e AKKP-së

Mbi 20 padi janë regjistruar kohët e fundit për qindra hektarë tokë. Në Spille, Gjirin e Lalzit dhe Velipojë janë bërë abuzime të mëdha

Habjon Hasani

Tiranë - Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është kthyer në “dele e zezë” të disa dosjeve hetimore që kanë mbërritur në prokurori muajin e fundit. Janë mbi njëzet dosje të tilla, ndërsa objekti i tyre lidhet me abuzimet e mëdha që janë bërë në trojet bregdetare, kryesisht në vijën e Shqipërisë së Mesme. Spilleja dhe Gjiri i Lalzit janë më kryesoret, por nuk mungojnë dhe disa dosje që lidhen me abuzimet pranë bregdetit të Velipojës. Bëhet fjalë për qindra hektarë. “Albania” është informuar dje pranë organit të akuzës se ka elemente të veprës penale në praktikat e sekuestruara, ndërsa ka qenë gjithnjë institucioni qendror i AKKP-së ai që ka vënë “vulën e fundit” mbi abuzimet dhe gllabërimet antiligjore të trojeve. Gjithsesi, fluksi i lartë i çështjeve në shqyrtim mund të sjellë dhe grupin e disa dosjeve, pasi të njëjtët persona rezultojnë të implikuar në procesin e abuzimit në disa vende dhe zona të ndryshme pranë bregdetit. Duket sikur bëhet fjalë për grupe të fuqishme interesi, që po abuzojnë dhe po kalojnë në pronësi qindra hektarë tokë bregdetare.
Biznesi
Një pjesë e mirë e denoncimeve janë kryer nga biznesmenë shqiptarë. “Këta biznesmenë kanë lidhur më parë kontrata me pronarët e tokave në këto zona, por prej disa kohësh këto kontrata janë bllokuar në AKKP dhe në hipoteka, ndërsa pronarëve të tokave u është kërkuar që të lidhin kontratat me të tjerë persona. Megjithatë, ky është vetëm një rast i abuzimit dhe shantazhimit, pasi në disa dosje të tjera janë konstatuar deri dhe grabitje të pastra të pronës private, por edhe të asaj shtetërore. Për këto grabitje ka firmosur një nomenklaturë e tërë zyrtarësh, ndërsa ne do të hetojmë se kush janë iniciuesit dhe përfituesit nga ky proces i paligjshëm”, - i tha dje “Albania”-s një burim nga Prokuroria e Tiranës. Sipas ekspertëve të organit të akuzës, në tri vitet e fundit janë konstatuar blerje të mëdha tokash në bregdet nga një grusht i vogël njerëzish, ndërsa sipas tyre në disa prej këtyre blerjeve janë konstatuar shkelje shumë të rënda të ligjeve të vendit, ku falsifikimi dhe vendimet arbitrarisht antiligjore të AKKP-së kanë qenë flagrante.
Hetimi
Të pyetur nga “Albania” për këto shkelje, burime nga organi i akuzës janë shprehur se “të gjitha rastet janë në proces analize, ndërsa marrja në pyetje e personave të implikuar jo vetëm ka faktuar procesin e falsifikimit, por ka vërtetuar se përfituesit nga këto shkelje kanë operuar me firmën dhe vulën e të tjerëve. Pikërisht këtu po konsiston dhe puna jonë e tanishme, pasi jemi seriozisht të interesuar që të faktojmë lidhjen e këtyre grupeve të biznesit që kanë sponsorizuar gjithë procesin e paligjshëm me zhvillimet dhe dosjen konkrete”. Sipas të njëjtave burime mësohet se vetëm në dy muajt e fundit ka pasur një përqendrimin të madh të prokurorisë në dosjet e abuzimit me pronat, si pasojë e shtimit të madh të rasteve të denoncimit, ndërsa në shumë raste procesi i abuzimit ka qenë në dritën e diellit dhe lehtësisht i verifikueshëm.

Rasti i Spillesë, në hetim krerët e lartë të AKKP-së

Gazeta ”Albania” botoi ekskluzivisht pak kohë më parë lajmin se Prokuroria e Tiranës po heton krerët më të lartë të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pas denoncimit të bërë disa javë më parë lidhur me zaptimin e më shumë se 40 hektarëve troje në Spille, një zonë fare pranë bregdetit. Disa javë më parë në prokurori kanë ardhur denoncimet lidhur me procesin antiligjor që po zhvillohej për falsifikimin dhe tjetërsimin e pronësisë mbi këtë sipërfaqe të konsiderueshme toke. Menjëherë prokurorët kanë bërë sekuestron e të gjitha materialeve lidhur me këtë sipërfaqe si në institucionin e AKKP-së, ashtu dhe në Hipotekë. Mësohet se prokurorët kanë mundur të faktojnë paraprakisht të vërtetojnë se një tokë në pronësi të pastër shtetërore është shndërruar në një “pronë private” si pasojë e një procesi kryekëput falsifikimesh. Jo pak, por më shumë se 40 hektarë tokë i janë kaluar me dokumente false një familjeje të vetme, ndërsa një zinxhir i tërë zyrtarësh ka firmosur dhe ka dhënë dritën jeshile për këtë kalim të paligjshëm pronësie. Prokurorët mendojnë se kanë të bëjnë me një aksion të mirorganizuar falsifikimi, ndërsa në të janë përfshirë dhe zyrtarë nga më të rëndësishmit të AKKP-së. Ndërsa është faktuar në mënyrë shkencore procesi i falsifikimit, prokurorët po punojnë për të parë nëse ka pasur ndonjë suport nga të tjerë zyrtarë për organizimin e kësaj skeme të vjedhjes së trojeve shtetërore nëpërmjet falsifikimit.

Rasti i Vlorës, abuzimi frymëzohej nga Tirana

Hetimi për skandalin e tokave në bregdetin e Vlorës, i cili solli për pasojë arrestin e Genci Panozaqit, ish-drejtori i Zyrës Rajonale të Kthimit e Kompensimit të Pronave, Sokol Kuçaj, ish-juristit pranë kësaj zyre dhe specialistit topograf Fatmir Xhena tregoi se abuzimi “frymëzohej” nga Tirana. Kjo pasi të gjitha vendimet e marra nga tre të arrestuarit janë miratuar edhe nga Zyra qendrore e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Lidhur me këtë rast hetuesit e çështjes kanë treguar se janë të paktën tre kallëzime nga qytetarë të ndryshëm në lidhje me skandalin e abuzimit të pronave në bregdet. “Deri tani mund të konfirmohen me siguri rreth 30 hektarë truall në zonën e Orikumit, si dhe një sipërfaqe prej 40 dynymësh në zonën pranë rrugës Transballkanike. Vetëm për 30 hektarët e Orikumit ka dy denoncime”,- thanë hetuesit e çështjes. Zëvendësprokurori i rrethit Vlorë, Dorjan Tafili, ka pohuar ndërkohë se një nga denoncuesit në Orikum, kishte pretendimin se ka mbetur pa pronë, ndërsa personi tjetër që do të përfitonte nga një shpronësim ka pasur zhvendosje të pronës. Ky person duhet të ishte kompensuar me një pronë në kodër por në realitet atij i është dhënë një pronë në zonë bregdetare. Abuzimi tjetër është zbuluar teksa kryheshin shpronësimet për ndërtimin e rrugës Transballkanike.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›