Ambasadorët e BE-së, thirrje qeverisë: Të ketë llogaridhënie para ligjit
Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian të akredituar në Tiranë deklaruan dje së janë të shqetësuar në lidhje me zhvillimet e fundit në vend, për sa i përket përplasjes së institucioneve për çështjen “Fazlliç”. Sipas një deklarate të përbashkët publike, ambasadorët perëndimorë u shprehën se këto konflikte mund të sjellin zhvillime negative për vendin. Por nga ana tjetër, përmes kësaj deklarate, ambasadorët e vendeve të BE-së kërkuan me forcë që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe llogaridhënia para tij duhet të jetë e plotë. Diplomatët e vendeve të BE-së kërkuan respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor, por nga ana tjetër kërkuan që askush të mos i bëjë bisht ligjit. Ndonëse deklarata e ambasadorëve ishte vetëm dy rreshta shkrim, mesazhi i tyre ishte i qartë për aktorët institucionalë në vend. “Ne u bëjmë një thirrje të fortë të gjithëve, kryesisht qeverisë, të respektojnë dispozitat kushtetuese dhe parimet e mirëqeverisjes, pjesë e së cilës është edhe llogaridhënia para ligjit”, - deklaruan njëzëri ambasadorët e vendeve të BE-së. Reagimi i ambasadave në Tiranë vjen në një kohë kur i njëjti sinjal ka ardhur një ditë më parë nga përfaqësia diplomatike amerikane. Ambasada e SHBA-së reagoi përmes zëdhënësit të saj, Biks Aliu, duke vlerësuar se “respektimi i të gjitha institucioneve të pavarura është me rëndësi thelbësore për një demokraci të shëndetshme”. “Ne jemi shumë të shqetësuar nga veprimet e fundit të ministrit të Drejtësisë dhe ministrit të Brendshëm për të ndërhyrë në pavarësinë e prokurorisë gjatë një hetimi në vazhdim. Të gjitha çështjet duhet të hetohen në mënyrë të plotë, tërësore, dhe të pavarur pa kurrfarë ndërhyrjeje apo kërcënimesh nga jashtë ndaj prokurorëve”, - thuhej në pjesën tjetër të deklaratës së ambasadës së SHBA-së në Tiranë. Ky reagim i ambasadorëve të BE-së si dhe i ambasadës së SHBA-së erdhi pas përplasjeve mes prokurorisë dhe Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme për procedurat e hetimit dhe ndalimit të biznesmenit Damir Fazlliç. Konflikti lindi për shkak se dy inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë kërkuan të marrin në prokurori protokollimin e urdhëresës për ndalimin në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të shtetasit boshnjako-britanik Damir Fazlliç, por ata u përballën me refuzimin e prokurorisë, duke nxjerrë si pretekst përfundimin e orarit zyrtar të punës. Ministria e Drejtësisë reagoi duke sqaruar se inspektorët nuk synonin kontrollin e dosjes së Damir Fazlliçit, por procedurat e regjistrimit të veprave penale që përfshin periudhën nga 1 shtatori deri në 10 tetor. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibej, e cilësoi si të papranueshëm dhe jo të përgjegjshëm pretendimin dhe pretekstin se inspektorët u ndaluan të respektojnë ligjin për shkak të përfundimit të orarit zyrtar. Nga ana tjetër, Ministria e Brendshme ka hapur një proces penal ndaj dy prokurorëve të Tiranës të cilët urdhëruan me telefon ndalimin e shtetasit Damir Fazlliç. Sipas kësaj ministrie, ky veprim është antiligjor, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Kodin e Procedurës Penale si dhe me ligjin për të huajt.