E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozita punon me standarde të dyfishta

Hetimi ndërkombëtar për një çështje që prek një investitor të huaj në vendin tonë nuk është përkrahur nga ana e opozitës, në mos është parë nga ajo si manovër politike e Kryeministrit Berisha. Opozita në çështjen “Fazlliç” ka shprehur besim të plotë te prokuroria shqiptare dhe verdikti i saj. Por vetëm pak muaj më parë një tjetër çështje e rëndësishme hetimi, siç ishte tragjedia e Gërdecit, po kjo opozitë ka kërkuar me ngulm hetim ndërkombëtar, duke shprehur rezerva për paanshmërinë e prokurorisë shqiptare në këtë hetim. Dy qëndrime në dy kohë të ndryshme, duke treguar një oponencë me standarde të dyfishta të opozitës shqiptare. Në rastin e një çështjeje si Gërdeci, me anë të së cilës opozita tentonte të kishte sa më shumë përfitime politike, ajo këmbënguli fort që të kishte ekspertë ndërkombëtarë, vetëm e vetëm pse Ina Rama, Kryeprokurorja e re, ishte e sapozgjedhur nga mazhoranca aktuale. Në disa deklarata publike, deputetë dhe anëtarë kryesie të kësaj partie e shihnin praninë e të huajve në këtë hetim si një garanci për paanshmëri dhe vërtetësi. Ndërkohë, kur është qeveria ajo që po kërkon hetim ndërkombëtar për çështjen “Fazlliç”, nga e cila është përsëri opozita që po tenton të përfitojë politikisht, kjo gjë refuzohet nga ana e saj. Kryeministri Berisha i akuzuar se ka dhënë mbështetje dhe ka privilegjuar mikun e tij biznesmen, Damir Fazlliç, kërkon që me anë të një ekspertize të huaj të sqarojë këto akuza. Ai deklaron se qeveria nuk ka privilegjuar në asnjë moment këtë biznesmen dhe se ai nuk ka përfituar asnjë lekë nga paratë publike dhe për të sqaruar këtë pikë kërkon që hetues nga vende perëndimore të asistojnë në hetimin që po bën prokuroria. Një hetim i tillë, sipas shefit të qeverisë, do të ishte më bindës për të gjithë. Por pa dhënë ndonjë arsye të fortë për refuzimin e saj opozita e quan këtë kërkesë një tentativë, për të penguar hetimin e prokurorisë. Edi Rama, kryetar i PS-së, u shpreh se “hetimi ndërkombëtar që kërkon Sali Berisha është një manovër për të penguar hetimin kushtetues që është një e drejtë kushtetuese, ligjore dhe një detyrim i Prokurorisë së Republikës. Kryeministri le të marrë kurajën e të shkojë në prokurori e ta ndihmojë prokurorinë. Mund ta ndihmojë me ato që di shumë me tepër sesa mund ta ndihmonin prokurorë hipotetikë ndërkombëtarë”. Nuk dihet pse në këtë moment PS nuk e pranon asistencën e ekspertëve të huaj në hetim, kur në Shqipëri është bërë rutinë, që në çështje me interes publik të ketë ekspertizë të tillë, siç ndodhi në rastin e Gërdecit, çështjes “Trebicka” etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›