Socialistët nuk pranojnë anëtarin e ri për KKRT-në
Komisioni Parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik debatoi dje në lidhje me miratimin e një anëtari të ri në Këshillin Kombëtar të Radiotelevioneve, vendi i mbetur vakant pas shkarkimit nga Kuvendi të Frano Kullit. Pavarësisht emrave dhe alternativave që ishin paraqitur në komision, deputetët e Partisë Socialiste nuk pranuan asnjë nga emrat duke kërkuar që anëtari i ri të vijë nga shoqëria civile. Në komision ishin paraqitur zyrtarisht dy kandidatura të propozuara nga PD-ja, ajo e Altin Ndroqit dhe Ermal Gjonajt, për të cilat opozita shprehu kundërshtime, por asnjë nga dy të propozuarit nuk mori pëlqimin e deputetëve socialistë. “Maxhoranca po shkel procedurat dhe standardet në emërimin e anëtarit të KKRT-së. Kandidaturat në komision duhet të ishin nga shoqëria civile, sikurse e parashikon ligji”, - deklaroi kryetarja e Komisionit, Valentina Leskaj. Anëtari i këtij komisioni, Astrit Patozi, u shpreh se i gjithë procesi ishte transparent, ndërkohë që ai ftoi opozitën që të sillte edhe propozime shtesë për anëtarin e ri të KKRT-së. Pavarësisht debateve, Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Median nuk arriti të miratonte asnjë prej propozimeve, duke lënë që Parlamenti të vendosë me shumicë votash se kush do të jetë anëtari i ri KKRT-së.