E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli merr garancinë nga Zapatero për NATO-n

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mori garanci të plotë se shtetit iberik, Spanja, do të ratifikojë së shpejti Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Topalli u takua me Kryeministrin spanjoll, Jose Luis Rodrigez Zapatero, në Madrid, e para vizitë e këtij niveli diplomatik që bëhet në Spanjë. Në të këtë vizitë të parë të një kryetari Kuvendi të Shqipërisë në Spanjë, Topalli pati mundësi të bisedojë me Kryeministrin spanjoll për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve. Kryeministri Zapatero e vlerësoi këtë vizitë të kryetares së Kuvendit të Shqipërisë si një vizitë shumë të rëndësishme që do të nxisë të tjera shkëmbime vizitash mes dy vendeve dhe do të rrisë nivelin e bashkëpunimit. Nga ana e saj, Jozefina Topalli falënderoi Spanjën për mbështetjen e saj ndaj gjithë procesit integrues të Shqipërisë, duke qenë nga të parat shtete që ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. “Është shumë e rëndësishme për ne që Spanja ishte ndër vendet e para që ratifikoi MSA-në, Shqipëri-BE. Shpresojmë që gjithashtu, vendi mik spanjoll do të ratifikojë së shpejti edhe Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”, - tha kryetarja Topalli. Kryeministri Zapatero garantoi kryetaren e Kuvendit se procesi i ratifikimit të këtij protokolli nga Spanja, do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër, dhe se Spanja mirëpret anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO. Kreu i qeverisë spanjolle theksoi se është në pritje të vizitës së Kryeministrit shqiptar Berisha, në Spanjë. Kryetarja e Kuvendit tha se do të ishte në nderin dhe kënaqësinë e Shqipërisë të presë në një vizitë së afërmi edhe Kryeministrin Zapatero. Kryetarja e Kuvendit gjatë vizitës së saj zyrtare në Spanjë me ftesë të Kryetarit të Senatit spanjoll, do të zhvillojë takime edhe me Kryetarët e Senatit dhe Parlamentit të Spanjës, ministrin e Jashtëm, dhe do të marrë pjesë në seanca dëgjimore me komisionet parlamentare. Temë e veçantë e këtyre takimeve do të jetë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe rritja e bashkëpunimit veçanërisht në fushën ekonomike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›