E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e Kosovës, në pritje të firmës së Sejdiut

Emërimi i ambasadorëve të parë të Kosovës dhe përzgjedhja e stafit diplomatik e konsullor, sipas përfaqësuesve të institucioneve, është në fazën finale. Ndërsa opozita kritikon Presidentin dhe qeverinë për "hapa të ngadalshëm dhe zvarritje të panevojshme të këtij procesi". Janë 18 ambasada që pritet të funksionalizohen sivjet.

Pas përfundimit të procedurave paraprake, mbetet që Presidenti Fatmir Sejdiu të përcaktojë përfundimisht emrat e ambasadorëve dhe menjëherë më pas të kërkojë edhe pëlqimin nga vendet përkatëse. Mirëpo Sejdiu aktualisht është me pushime dhe vetëm pas kthimit të tij dhe konsultimeve shtesë që do t‘i ketë me Kryeministrin e ministrin e Jashtëm, pritet të bëhen këto emërime. Kjo konfirmohet nga zëdhënësi i Presidentit, Xhavit Beqiri, i cili sqaron në vijim se si rrjedh procedura finale e emërimit të ambasadorëve. "Faktikisht, Presidenti duhet të japë pëlqimin për propozimet që kanë ardhur. Më pas caktohen kandidatët potencialë ose të propozuarit për ambasadorë, apo konsuj në vendet përkatëse, dërgohet kërkesa në ato vende që të japin pëlqimin e tyre dhe kur marrin pëlqimet, atëherë Presidenti e jep pëlqimin për akreditim", tha Beqiri.

Nga ana tjetër, opozita kritikon Presidentin dhe qeverinë për zvarritje. Avni Arifi, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se zvarritjet po japin një imazh të keq për Kosovën, ndërkaq shpreh dyshime që përzgjedhja e ambasadorëve është bërë mbi kriteret e përcaktuara me konkurs. Ai thotë gjithashtu se përzgjedhja është bërë në bazë të preferencave politike. "Kanë qenë vonesa të panevojshme. I tërë procesi është manifestuar me pohimet se, njerëzit dihet se kush do të jenë, kurse konkursi është vetëm një formë për t‘u dhënë legjitimitet veprimeve të përcaktuara. E gjithë esenca këtu është se çfarë imazhi po reflektojmë, se si do të duket Kosova përpara mekanizmave ndërkombëtarë", theksoi Arifi.

Ndërsa emërimi i ambasadorëve pret kthimin e Presidentit Sejdiu nga pushimet, në Ministrinë e Punëve të Jashtme janë duke u përzgjedhur stafet civile për 18 ambasadat e Kosovës. Këshilltari i lartë në Ministrinë e Jashtme, Kujtim Shala, thotë se ka mbi 400 kandidatë që konkurrojnë për postet civile nëpër ambasadat e Kosovës. Ai shpjegoi se, të premten kandidatët do t‘i nënshtrohen testimit dhe më pas do të pasojnë procedurat e intervistimit deri tek emërimi i stafit të nevojshëm për secilën nga 18 ambasadat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›