E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët e Kuintit mbështesin fuqishëm Kosovën

Prishtinë Shefi i Zyrës Ndërkombëtare Civile, Piter Feith, dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit në Kosovë, kanë përgëzuar udhëheqësit dhe qytetarët e Kosovës me rastin e përvjetorit të parë të shpalljes së pavarësisë. Në një pritje te Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi, ata konfirmuan mbështetjen e fuqishme të vendeve të tyre për Kosovën dhe për zhvillimin e saj në të ardhmen. Shefi i Zyrës Ndërkombëtare Civile, Piter Feith, përgëzoi qytetarët dhe institucionet e Kosovës për progresin e arritur gjatë vitit të parë të shtetësisë.

"Kosova është vend i lirë dhe demokratik dhe vend i të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu, prandaj unë dua të shpreh dëshirën time që, me mbështetjen tonë, Kosova të ecë drejt integrimeve euroatlantike", tha Feith. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tina Kajdanou, tha se populli i Kosovës duhet të jetë krenarë për të arriturat e deritashme.

"Mendoj se qytetarët e Kosovës duhet të jenë shumë krenarë për të gjitha ato që janë bërë. Mendoj se të gjithë këtu jeni krenarë për atë që është bërë, pasi qytetarët e Kosovës kanë parë se cilat janë interesat e vendit dhe kanë orientuar objektivin e tyre në drejtim të duhur. Unë jam një qind për qind e bindur se kjo qasje do të vazhdojë edhe më tutje, në vitet e ardhshme. Sërish dua t'i përgëzoj qytetarët e Kosovës. Unë jam vërtet krenare që gjendem këtu, në këtë rast të veçantë", deklaroi ambasadorja Kajdanou.

Ndërkaq, Presidenti Sejdiu, deklaroi përkushtimin e institucioneve shtetërore të vendit që Kosova të jetë shtet i të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Ai ritheksoi edhe vizionin për të ardhmen e Kosovës. "Është shumë e rëndësishme që vërtet në këtë ditë gëzimi të punojmë për ditët tona edhe më të suksesshme, duke pasur parasysh një përkushtim të thellë atë që Kosova do të jetë dhe do të zhvillohet shtet i gjithë qytetarëve i respektit për secilin njeri të saj, i raporteve shumë të mira me gjithë fqinjët e vet, i vizionit për të qenë i integruar në BE dhe në NATO dhe në një miqësi permanente me SHBA të", u shpreh Sejdiu.

Kryeministri Thaçi tha se sukseset e deritashme të Kosovës janë arritur në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare dhe theksoi përkushtimin e institucioneve shtetërore për ndërtimin e shoqërisë demokratike. "Ky ishte vit i suksesit, i një suksesi të përbashkët. Ne do të ecim edhe në të ardhmen bashkërisht dhe do të implementojmë kriteret demokratike, do të ndërtojmë shoqërinë tonë multietnike dhe do të jemi edhe pjesë e NATO s dhe e Bashkimit Evropian. Edhe një herë, falemi nderit zotit Piter Fait dhe të gjitha vendeve që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe të tjerat që do ta njohin së shpejti".

Liderët e institucioneve shtetërore të Kosovës shprehën vullnetin për thellimin e marrëdhënieve miqësore me mbarë botën demokratike. qik

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›