Ambasadorët e SHBA dhe BE-së, sërish takim me Presidentin Topi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, janë angazhuar dje për të ndërmarrë një aksion të përbashkët negocimi mes palëve politike shqiptare në një periudhë kur ky aksion duket i pamundur. Vetëm 48 orë më pas, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, dhe ambasadori i Spanjës, Manuel Montobio, kanë takuar dje së bashku Presidentin e Republikës dhe kanë biseduar për krizën politike. Takimi ka zgjatur më shumë se 60 minuta dhe ka qenë i mbyllur për publikun,. Zyra e shtypit e Presidencës ka lëshuar një komunikatë të shkurtër, ku thekson se “Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti në zyrën e tij ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, John L. Withers II dhe ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse”. Gjatë takimit, vijon njoftimi, u bisedua rreth situatës më të fundit politike në vend, përpjekjeve, mundësive e rrugëve kushtetuese dhe institucionale për të zgjidhur në një kohë sa më të shpejtë dhe normalizuar situatën politike në vend. Në këtë kuadër, Presidenti Topi, ambasadori Withers dhe ambasadori Montobio diskutuan edhe për nevojën e vazhdimit të reformës në gjyqësor duke nënvizuar rëndësinë e një sistemi gjyqësor plotësisht të paanshëm e profesional. Në takimin e djeshëm, ka qenë prezent edhe këshilltari juridik i Presidentit Spiro Peçi, si dhe ai diplomatik Arben Cici. Prezenca e dy pjesëtarëve të stafit jep një sinjal më shumë për një riaktivizim të kanaleve të kontakteve siç ka ndodhur dhe në muajin shkurt. Ndërkaq, burime pranë kreut të shtetit bënë të ditur se qëndrimi i Presidentit të Republikës, Bamir Topi, nuk kanë ndryshuar, që do të thotë se nuk do të ketë një tryezë pa pasur një kontakt paraprak mes liderëve të mazhorancës dhe opozitës. Në takimin e djeshëm mësohet se ambasadorët Withers dhe Montobio, kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për të ndërmarrë një seri negociatash me liderët kryesorë në vend. Të dy diplomatët e rëndësishëm kanë marrë në “patronash” njëri Kryeministrin dhe tjetri liderin e opozitës, por nuk përjashtohet edhe aksioni i përbashkët duke trokitur si përfaqësues të SHBA dhe BE-së në zyrën e kreut të qeverisë, Sali Berisha dhe atë të kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Por situata është mjaft më e vështirë se tre muaj më parë, pasi përplasja mes mazhorancës dhe opozitës ka arritur në pikën më kritike. Një diplomat i Perëndimit, i cili nuk dëshiroi të bëhej publik, i tha “Shqip” se pika e parë e negocimit në këtë situatë të rënduar është shmangia e konfliktit dhe “armëpushimi” i përkohshëm deri në nisjen e bisedimeve mbi një draft. Por shtoi se mungesa e besimit reciprok e bën mjaft të vështirë këtë ndërmarrje, ndaj do të duhet një presion më i fortë mbi aktorët kryesorë politikë. Dy ditë më parë Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi se duhet që të dyja palët të japin sinjale të qarta mbi mundësinë e nisjes së një dialogu politik. “Kam qenë në përpjekje dhe vazhdoj të jem në përpjekje të vazhdueshme. Nuk është e thënë që përpjekjet të jenë publike, të demonstruara, por janë një impenjim i punës sime dhe i aktorëve të tjerë institucionalë, pa diskutim, por edhe i bashkësisë ndërkombëtare që këtë situatë të pakëndshme ta zgjidhim sa më shpejt”, tha kreu i shtetit. Presidenti Topi nuk ka kursyer kritikat e tij ndaj politikës shqiptare që ka krijuar një situatë përplasjeje, por ai nuk i vuri gishtin ndonjë pale si fajtore. “U bënë muaj, muaj e muaj që kthehemi te dialogu, dalim nga dialogu. Ka një shprehje që ju duhet ta dini: ‘Për t’u marrë vesh, duhen dy palë. Për të bërë divorc, mjafton një palë’”, u shpreh Topi.
#