E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat e klonuara, lëvizjet nga Shqipëria, Maqedonia dhe Spanja

Verifikimet Prokuroria vijon hetimet: Shtetasit amerikanë do të dëmshpërblehen

Klonimi i kartave me të cilat realizohej prenotimi i biletave të avionit “online” u ka shkaktuar kompanive shqiptare të udhëtimit qindra mijëra euro humbje, pasi shtetasit amerikanë, emrat e të cilëve janë përdorur për të falsifikuar kartën e kreditit, kanë marrë nga bankat çdo qindarkë. Prokuroria e Tiranës ka zbardhur skemën e klonimit të kartave, ndërsa “baza” mendohet se është në shtetin e Kosovës. Të arrestuarit nga Shqipëria i dërgonin shtetasit kosovar me SMS të dhënat e personave që prenotonin biletën. Pagesa bëhej normalisht dhe më pas realizohej edhe falsifikimi. Burime nga prokuroria dhe policia thanë se të arrestuarit merrnin paratë kesh nga persona të ndryshëm, me qëllim për t’u shitur bileta avioni për udhëtime. Më pas, duke ndërhyrë në sistemin e biletave të udhëtimit me avion dhe duke përdorur karta të klonuara, prenotonin “online” udhëtime. Kryesisht, shtetet ku lëvizej me këtë mashtrim kanë qenë Shqipëria, Maqedonia dhe Spanja, ndërsa hetuesit e çështjes kanë filluar verifikimet për pasuritë e të arrestuarve. Kryesisht, këta persona të shqetësuar për mungesën e parave në llogaritë e tyre, që ishin nga SHBA-ja, kërkonin informacion në banka dhe rezultonte se ata kishin bërë prenotime për udhëtime me avion nga Shqipëria. Të shqetësuar kontaktonin me kompanitë ajrore dhe kërkonin sqarime. Në këto kushte, duke faktuar se ata nuk kishin bërë asnjë prenotim, u ktheheshin paratë e marra nga llogaria e tyre dhe humbja ngelte për kompanitë ajrore. Pronarët e kompanive dhe administratorët e tyre në Shqipëri kanë kërkuar ndihmën e policisë që të hetojë në lidhje me këtë problem, ndërsa në “lojë” është futur edhe Prokuroria e Tiranës. Disa punonjës të agjencive turistike në vend kanë përfunduar në pranga, pasi duke klonuar karta banke dhe duke ndërhyrë në sistemin e biletave të kompanive ajrore kanë mundur të vjedhin të paktën 115 mijë euro, ndërkohë që dyshohen edhe për shuma të tjera të mëdha parash. Gjatë operacionit të koduar “Concord”, kanë përfunduar në pranga tetë persona, ndër të cilët dy shqiptarë nga Kosova, të cilët mendohet se janë edhe “truri” i këtij aktiviteti kriminal.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›