E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burgaj: Ndjekje penale për bllokuesit e rrugëve

Deklarata Nëpërmjet zëdhënëses, Policia e Shtetit reagon për rrugët në tetë qytete

Policia e Shtetit ka reaguar ndaj protestave të mbështetësve të PS-së nëpër akset rrugore nacionale. Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Klejda Plangarica, njoftoi se “policia veproi e detyruar ndaj bllokimit 4-10 minutësh që iu bënë disa akseve rrugore në vend nga një numër i kufizuar personash”. Sipas njoftimit zyrtar, policia vuri në dijeni se gjatë ditës së djeshme, një numër i kufizuar i qytetarëve kanë bllokuar plotësisht ose pjesërisht, për rreth 4-10 minuta, rrugët në akset kryesore të tetë qyteteve. “Bllokime ka pasur në Kryebushat në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, në Tiranë, në Rrugën e Elbasanit tek Ura e Farkës, në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë Shkozetit, në hyrje të qytetit të Vlorës, në rrethrrotullimin e Kolonjës, në autostradën Fier-Lushnjë, te kryqëzimi i Patogut, në aksin rrugor Lezhë-Laç dhe te kthesa e Poshnjës, në aksin rrugor Berat-Lushnjë”, deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Më tej, nëpërmjet zëdhënëses, u deklarua se Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore, në çdo rast ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme. “Në kuadër të këtyre masave dhe në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë së Shtetit u bëjnë thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet”, deklaroi zëdhënësja Plangarica. Nga strukturat e Policisë së Shtetit po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme në të gjitha qarqet e sipërcituara dhe materialet procedurale për çdo rast do t’i referohen prokurorisë për veprën penale “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›