E Diel, 1 Nëntor 2026

Tarifat e reja në gjykata, ankesa në Kushtetuese

Avokatët padisin Ministrinë e Drejtësisë dhe Financat për udhëzimin

Udhëzimi i Ministrisë së Drejtësisë dhe Financave për caktimin e tarifave të reja në gjykatë është cilësuar antikushtetues nga Forumi i Avokatëve për Drejtësi. Dy ditë më parë, ky forum ka paditu dy ministritë e linjës në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e tij si të papajtueshëm me ligjin themeltar të shtetit. Sipas tyre, udhëzimi i mëparshëm ka qenë në favor të qytetarëve shqiptarë, pasi synonte të mbante tarifa jo të kushtueshme, të thjeshta, transparente dhe të lehta për t’u kuptuar dhe menaxhuar. Sipas padisë së depozituar në Gjykatën Kushtetuese, udhëzimi i ri ka tarifa të larta në lidhje me gjendjen ekonomike për shumë qytetarë shqiptarë. Megjithatë, përpos rekomandimeve nga avokatët, por edhe nga misionet e huaja, udhëzimi i ri ka hyrë në fuqi në muajin mars të këtij viti. “Për një padi të çfarëdolloj, të paguash një tarifë prej 12.000 lekësh, sa është vendosur në udhëzimin, në një kohë që të ardhurat mesatare mujore të një familjeje shqiptare janë jo më shumë se 35.000 lekë, është afërsisht e barabartë me të ardhurat mesatare të 10 ditëve pune. Kjo shifër është shumë e lartë dhe ngre shqetësimin në lidhje me përputhshmërinë e parimit të mundësimit të barabartë të drejtësisë”, deklaron Forumi i Avokatëve për Drejtësi.
Sipas udhëzimit të ministrit të Financave dhe ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë, tarifa gjyqësore është 3 për qind e vlerës së padisë së depozituar. Mjafton edhe ky fakt për të vërtetuar se tarifat gjyqësore të vendosura me udhëzimin e mësipërm janë të papajtueshme me Kushtetutën e Shqipërisë, pasi i diskriminon shqiptarët padrejtësisht për shkaqe ekonomike. Sipas avokatëve, sistemi i tarifave gjyqësore duhet të parashikonte përjashtime të veçanta ose ulje të tarifave gjyqësore për tipe të caktuara padish dhe tipe të caktuar paditësish për të garantuar mundësimin e barabartë të drejtësisë për personat ekonomikisht të dobët dhe në nevojë. Ata deklarojnë me tej se ministri i Financave dhe ministri i Drejtësisë kanë marrë atribute të organit ligjvënës, të Kuvendit të Shqipërisë, dhe një aspekt të tillë të rëndësishëm të jetës ekonomike të vendit, i cili ka të bëjë dhe prek interesa jetike të shtetasve shqiptarë, e kanë rregulluar arbitrarisht me një akt nënligjor, në një kohë që ky rregullim duhej të bëhej me ligj, sikurse e përcakton neni 155 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. “Në rast se ky udhëzim do vazhdojë të zbatohet kështu, siç është miratuar nga ministri i Financave dhe ministri i Drejtësisë dhe nuk do të konsiderohet i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me qëllim që tarifat gjyqësore të përcaktohen me ligj, sikurse parashikon neni 155 i Kushtetutës, atëherë liritë dhe të drejtat e qytetarëve të këtij vendi do të cenoheshin rëndë. Atyre do t’u mohohej dhe kufizohej e drejta e ankimeve kundër vendimeve penale e civile, për shkak se nuk përballojnë dot pagesën e 800 lekëve të reja për të kundërshtuar një vendim penal, tarifë e cila nuk ekzistonte fare më parë”, thuhet në padinë e Forumit të Avokatëve, ndërsa vjen paralajmërimi se qytetarëve të këtij vendi do t’u zvogëlohej në maksimum e drejta për të kërkuar një zgjidhje martese, pasi palët nuk do të paguajnë dot vleftën e padisë prej 9000 lekësh të reja, ose rritjen e kësaj tarife prej 6 herë më shumë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›