E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Asgjë nuk e ndal dot rrugën drejt BE

Patozi: Greva, pjesë e axhendës personale të Ramës

Partia Demokratike nuk ndryshoi dje qëndrim në lidhje me zgjidhjet që ajo i jep kërkesës kryesore të socialistëve për hapjen e kutive pavarësisht deklaratave të kryetarit të PS-së, Edi Rama, se protesta për këtë të drejtë do të përshkallëzohej. Kryeministri Sali Berisha deklaroi në orët e pasdites se askush nuk ndal dot integrimin e Shqipërisë. I ndodhur në përurimin e qendrës së azilkërkuesve kreu i qeverisë ka deklaruar se askush nuk do të ndalë integrimin e shqiptarëve drejt BE, ndërsa shtoi se greva e socialistëve u ngjan betejave të Don Kishotin me mullinjtë e erës. “Rruga drejt BE-së është e pandalshme për shqiptarët. Betejat me mullinjtë e erës, shqiptarët i lexojnë dhe do t’i lexojnë vetem tek Don Kishoti i Servantesit, vetëm në libra”, nënvizoi Berisha. Sakaq, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, deklaroi në një konferencë për shtyp se greva e PS-së nuk ka asnjë lidhje me transparencën dhe se kërkesat janë vetëm pretekste për karrierën politike të Ramës. Nga ana tjetër, Patozi nuk ngurroi ta cilësonte grevën e urisë të deputetëve dhe simpatizantëve të PS-së, si absurde. “E gjithë kjo vorbull e krijuar në këto muaj, po ashtu edhe greva e urisë që po zhvillohet në bulevard nuk ka lidhje me transparencën, por është pjesë e axhendës personale, politike të Edi Ramës, i cili humbjen e tij po e përjeton njësoj sikur Shqipëria të kishte dalë nga një luftë civile më 28 qershor dhe jo nga një proces normal dhe transparent”, deklaroi Patozi. Po kështu, në daljen e tij, kreu i grupit demokrat deklaroi se Rama e ka të pamundur ta radikalizoj situatën në vend, ndonëse po përpiqet për këtë. “Zoti Rama po kërkon që me mjete radikale të arrijë atë që nuk arriti dot me zgjedhje të lira dhe të ndershme. Jam i detyruar t’i them se ky është një mision i pamundur”, theksoi ai. Nga ana tjetër, Patozi deklaroi se PS duhet të merrte parasysh ofertat serioze, të cilat i ofroheshin nga ana e mazhorancës për zgjidhjen e situatës politike në vend dhe duhet të linte mënjanë retorikën bosh. “Nuk duhet të ngatërroni dhe aq me pak të vini shenjën e barazimit midis ofertave tona shumë serioze dhe preteksteve apo retorikës që përpiqet të mbajë gjallë apo të ushqejë me oksigjen një kauzë që nuk ekziston”, i bëri thirrje Patozi, përfaqësuesve të PS-së. Në këtë kuadër, kreu i grupit demokrat përshëndeti edhe deklaratën e bërë nga Partia Socialiste Europiane, e cila sipas tij, kërkon dialog mes protestuesve dhe qeverisë. Sipas Patozit, PS në vendimet dhe veprimet e saj duhet të marri parasysh edhe qëndrimet e ndërkombëtarëve. Grevën e socialistëve e kritikuan dje edhe përfaqësues të tjerë të PD-së. Zëdhënësja e kësaj partie, Erla Mëhilli, i kërkoi Ramës që të lejonte që shërbimi zyrtar mjekësor të bënte kontrollin mjekësor të grevistësve, ndërsa deputetja Lajla Përnaska kërkoi largimin e grave nga greva. Nga ana e tij, kreu i qeverisë, Kryeministri Berisha ka deklaruar se mazhoranca i jep opozitës dy alternativa në lidhje me zgjidhjen e situatës në vend, të cilat ishin depozitimi i kërkesës së saj në Gjykatën Kushtetuese dhe komisionin e Venecias, ose pjesëmarrja në komisionin hetimor parlamentar për zgjedhjet. Sipas Berishës, në këtë komision mazhoranca do të kishte kryetarin dhe shumicën e anëtarëve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›