Mosvotimi i buxhetit do të sjellë zgjedhje të parakohshme për kryetarin e Bashkisë
Rikthehet në qendër të vëmendjes buxheti i 2009-s i Bashkisë së Tiranës, i cili do të votohet të martën nga anëtarët e Këshillit Bashkiak. Pas disa seancash mosvotimi, tashmë anëtarët e Këshillit do të ngrenë përsëri kartonët pro ose kundër kalimit të buxhetit. Procedurat ligjore i japin të drejtën e votimit Këshillit Bashkiak të Tiranës deri në datën 31 mars. Në të kundërt, Këshilli Bashkiak do të shpërndahet dhe Tirana do të kalojë në zgjedhje për kryetarin e ri të Bashkisë. Ndërkohë që nuk është bërë asnjë ndërhyrje në buxhetin e 2009-s, siç kanë pretenduar anëtarët e PD-së dhe të LSI-së pranë Këshillit Bashkiak. Projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës, i parashikuar për vitin 2009, parashikon ndryshimin e Tiranës në të gjitha zonat. Buxheti i Bashkisë parashikon ndërhyrje në të gjithë problematikën me të cilën hasen çdo ditë qytetarët. Ekspertët e Bashkisë së Tiranës kanë detajuar ndërhyrjet që do të bëjë Bashkia dhe shumën e akorduar për çdo sektor. Kryeqyteti do të preket nga ndryshime të mëdha përgjatë gjithë territorit, që është përcaktuar nga vetë qytetarët. Buxheti i Bashkisë për vitin 2009 arrin në shifrën 7.6 miliardë lekë, që është menduar të shkojnë për shpenzime operative dhe kapitale për të gjitha programet e përfshira. Buxheti parashikon ndërhyrje të mëdha në disa sektorë problematikë për qytetarët në të 11-të njësitë bashkiake. Në dëgjesat publike që janë zhvilluar mes kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe qytetarëve janë përcaktuar dhe zonat apo objektet në të cilat duhet të kryhen ndërhyrje. Projekti i Bashkisë së Tiranës për rregullimin e territorit do të prekë qendrën e Tiranës dhe komunat përreth, të cilat do të marrin funksione të reja apo do të përmirësojnë kushtet e atyre ekzistuese. Një pjesë e madhe e zonave informale dhe ato që e kanë të nevojshme përshtatjen e kryeqytetit me parametrat e një qyteti europian do t’u nënshtrohet një sërë ndryshimesh. Zonat më të prekura nga ndryshimet janë periferitë dhe kryesisht zona e Kamzës dhe Bregu i Lumit, apo shtrirja që do të ketë ndërtimi i Unazës së Madhe. Projekti parashikon që në këtë pjesë të Tiranës të bëhet një ndërhyrje e thellë, ku të prishen të gjitha ndërtimet pa leje, ato që pengojnë për zbatimin e projektit. Njëkohësisht dhe qendra e qytetit do të preket nga disa ndryshime, pasi në këtë pjesë nuk do të ketë qarkullim të automjeteve. Prioritet do të kenë këmbësorët dhe të gjithë ata që kërkojnë të lëvizin me biçikleta.
31 Janar 2009