E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorët intensifikojnë presionin për zgjidhjen e krizës politike

Ambasadori i SHBA-ve, Withers, takon kryetarin e PS-së, Edi Rama
Eljona Ballhysa
Përfaqësuesit zyrtarë të Brukselit dhe Uashingtonit në Tiranë kanë ndërmarrë dje një varg takimesh për të zgjidhur krizën politike në vend. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, John Withers, zhvilloi një takim me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Në të njëjtën orë kur Withers ndodhej në zyrën e Ramës në Bashkinë e Tiranës, ambasadorët Helmut Lohan dhe Manuel Montobio ndodheshin në zyrën e Berishës në Kryeministri. Zyra për shtyp të Bashkisë së Tiranës dhe ajo e Kryeministrisë nuk kanë bërë publike asnjë njoftim zyrtar për mediat rreth bisedës së zhvilluar mes ambasadorëve dhe personaliteteve politike. Gjithsesi, burimet kanë bërë të ditur se në qendër të bisedimeve ka qenë pikërisht situata politike në vend. Ambasadorët kanë rritur presionin ndaj politikës shqiptare në mënyrë që të arrihet një kompromis dhe vendi të dalë nga kriza.
Negociatat
Ashtu si çdo krizë tjetër në Shqipëri, edhe kjo është marrë përsipër të zgjidhet nga faktori ndërkombëtar. Fakti që takimet janë zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias vërteton se këtë radhë takimi nuk ka pasur natyrë konstatimi, përkundrazi, ambasadorët kanë dhënë mesazhe të qarta për politikanët shqiptarë, duke u pozicionuar hapur në rolin e negociatorëve.
Këto takime zhvillohen pas miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të
KiE-së dhe në një moment kur politikanët shqiptarë, në vend që të ndryshonin qëndrim, vazhdojnë të mbajnë të njëjtin qëndrim duke u mëshuar fort kushteve të tyre në kundërshtim me sugjerimet e ndërkombëtarëve. Fill pas kësaj është radha e trupit më të rëndësishëm diplomatik që ndodhet në Shqipëri. Ambasadorët më të rëndësishëm kanë marrë dje nismën për të luajtur rolin e negociatorit mes Partisë Demokratike në qeveri dhe asaj Socialiste në opozitë. Ajo që kërkohet nga këto dy parti është ulja pa vendosur kushte paraprake në një tryezë bisedimi nën kryesimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Pikërisht kjo kërkohet edhe në Rezolutën e KiE-së. Në këtë rezolutë maxhorancës i kërkohet ngritja sa më parë e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit; opozitës i kërkohet t’i japë fund bojkotit dhe të futet në Parlament, ndërsa Presidentit Topi i kërkohet të qëndrojë mbi palët dhe të organizojë një tryezë bisedimi për t’i hapur rrugën dialogut institucional në mënyrë që t’i jepet fund krizës në vend. Ndërkaq, pas takimit me Ramën, Withers është pak i besueshëm kur thotë se bisedoi me të për udhëtimin e Ramës në Amerikë. “Thjesht donim të bisedonim për kthimin e tij nga SHBA-të. Shpresoj që ai kaloi një udhëtim të mirë dhe besoj se ka qenë vërtet kështu”, - u përgjigj Withers për mediat pas takimit me Ramën. Këto takime i paraprijnë vizitës së Delegacionit të Asamblesë së KiE-së, që pritet të vijë në Tiranë më datë 22 shkurt. Në ndihmë të këtij delegacioni, Këshilli i Europës ka nisur dy reporterët e tij, Jako Lakso dhe David Uillshire. Berisha dhe Rama kanë më pak se 20 ditë kohë për të sheshuar konfliktin.

4 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›