Berisha tërhiqet nga parakushtet, kërkon ftesë nga Topi për tryezën
Pak orë pas takimit me ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan dhe me ambasadorin spanjoll që mban presidencën e radhës së BE-së, Manuel Montobio, kryeministri Berisha ndryshon qëndrim në lidhje me tryezën politike në vend. Në një deklaratë për mediat dje pasdite, Berisha është shprehur i gatshëm të ulet në një tryezë bisedimi me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, të organizuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Madje Berisha është tërhequr nga parakushtet e tij drejtuar kreut të shtetit, Topi. Por, kryeministri u shpreh se është e rëndësishme që të ketë garanci për suksesin e tryezës së dialogut mes palëve. Një deklaratë e tillë e Berishës erdhi vetëm disa orë pas takimit me dy ambasadorët. Duket pas presionit ndërkombëtar kreu i Ekzekutivit ndryshon qëndrim dhe pranon Presidentin Topi si negociator për zgjidhjen e krizës, ndërsa thekson se është në pritje të ftesës së Presidentit për mbajtjen e tryezës.
Qëndrimi
“Ne e kemi bërë shumë të qartë pozicionin tonë, se mirëpresim kontributin e cilitdo personalitet, natyrisht Presidentit të Republikës dhe cilitdo tjetër që e ndiejmë se mund të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi. Kjo deklaratë është bërë nga unë tri ditë më parë; kjo deklaratë është bërë dje nga kryetari i Grupit Parlamentar, kjo deklaratë qëndron plotësisht. I vetmi problem që ne kemi dhe asgjë tjetër, është se mendojmë se një takim që jep rezultate dhe nuk firmos dështimin është i vlefshëm; një kafe pa rezultate, edhe ajo mund të pihet, por nuk është ajo që pritet. Nuk ka asnjë paragjykim, por i vlefshëm është një takim që jep rezultate”, - është shprehur Berisha.
I pyetur nëse ky takim është duke u përgatitur aktualisht, kryeministri Berisha dha një përgjigje evazive duke theksuar domosdoshmërinë e paraprirjes së suksesit të takimit. “Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron. Unë personalisht, me gjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme”, - është shprehur Berisha. Kryeministri u shpreh se nëse takimi me ambasadorët Lohan dhe Montobio ka pasur një temë tjetër bisedimi nga kriza aktuale politike në vend.
Më tej ai ftoi Ramën që t’u japë fund deklaratave dhe të fillojë zbatimin e Rezolutës së KiE-së. “Përsa i përket komisionit hetimor, ne ju garantojmë se që nesër do ta votonim, megjithëse nuk e paraqesim nesër, ndonëse ka ide të tilla. Nëse e paraqesim në përputhje me ligjin, i takon të marrësh kryetarin. Kështu që po presim socialistët që sapo të vijnë, ta paraqesin, ne ta votojmë. Ka një rezolutë, kërkesat e së cilës ne i votojmë pikë për pikë, pa asnjë lloj hezitimi. Unë prapë e ftoj zotin Rama që të shqyrtojë rezolutën, të mos rrimë të bëjmë deklarata dhe të ulemi t’i zbatojmë. Rezoluta është një dokument me të vërtetë shumë i mirë dhe ulja për ta zbatuar është interesi më i mirë i Shqipërisë dhe i secilës forcë politike. Le të ulemi të zbatojmë Rezolutën, dhe kjo është ftesa ime për zotin Rama”, - është shprehur Berisha. Kryeministri qartësoi dhe relatat e tij me Presidentin e Republikës, duke u shprehur se ai nuk është vartësi i tij. “Nuk ekziston për mua vështirësi për t’u ulur me asnjeri. Unë e kam faktuar këtë dhe nuk paragjykoj asgjë. Ish-vartësin tim, kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur president, nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës. Ka vetëm një njeri, i cili nuk e di nëse do ta marrë përsipër apo jo këtë gjë, por nëse ai e merr përsipër këtë, mendoj se nuk do të na ftojë me lugë në brez, por do të ulemi të punojmë. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime ndonjë lloj paragjykimi për asgjë. Edhe një herë thirrja ime për zotin Rama është të ulemi. Rezoluta është shumë e mirë, është me të vërtetë në interesin e Shqipërisë. Kushdo që e lexon atë, kushdo që lexon shqetësimet dhe preokupimet që shprehu ajo sallë, kupton se ai është një apel shumë i ndershëm, miqësor për të proceduar”, - është shprehur Berisha.
4 Shkurt 2010