E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorët mbështesin kryebashkiakun Basha

03/08/2011  Kryetari i Bashkisë së Tiranës zhvilloi dje një sërë takimesh me ambasadorët

Basha projkte ndërkombëtare për zgjidhjen e problemeve të kryeqytetit e banorëve të tij

Ambasadorët e akredituar në vendin tonë urojnë Lulzim Bashën për detyrën e re në krye të Bashkisë së Tiranës. Gjatë ditës së djeshme kryebashkiaku i kryeqytetit zhvilloi një sërë takimesh në zyrën e tij, ku paradite priti në një takim eurodeputetin austriak si dhe kryetarin e grupit të miqësisë Shqipëri-Austri në parlamentin austriak, Volfgang Grosruk. Eurodeputeti Grosruk e uroi Bashën për fitoren në zgjedhjet e 8 majit dhe për detyrën e re. Gjithashtu gjatë takimit eurodeputeti austriak i shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me administratën e re të bashkisë më të madhe në vend për projekte të ndryshme, veçanërisht në ato për forcimin e kapaciteteve.

Nga ana e tij Basha e falënderoi deputetin e PE-së Grosruk për shprehjen e mbështetjes dhe e siguroi atë se do të jetë i hapur për çdo nismë bashkëpunimi. Gjithashtu kryetari i Bashkisë e njohu eurodeputetin austriak me prioritetet e tij dhe të administratës që ai drejton për zhvillimin e Tiranës, për përmirësimin e cilësisë së jetës si dhe për zgjidhjen e problemeve imediate që ka qyteti.

Basha pret ambasadoren gjermane

Pas takimit me eurodeputetin Grosruk kryebashkiaku i Tiranës zhvilloi një tjetër takim kortezie me ambasadoren e Gjermanisë në Tiranë, Karola Muller-Hotkemper. Pasi e uroi për detyrën e re në krye të Tiranës, Hotkemper i shprehu Bashës mbështetjen e qeverisë gjermane për të bashkëpunuar me Bashkinë e Tiranës në projekte të përbashkëta. Më pas Basha e informoi ambasadoren gjermane në lidhje me prioritetet dhe gatishmërinë që ka Bashkia për t’u shërbyer qytetarëve në lidhje me shqetësimet që ata kanë. Gjithashtu Basha e njohu ambasadoren me projektet që ka Bashkia për të përmirësuar cilësinë e jetën në qytet. Duke e falënderuar për mbështetjen, kryebashkiaku i Tiranës e siguroi ambasadoren Hotkemper lidhur me gatishmërinë për të bashkëpunuar ngushtë me qeverinë gjermane në projekte të ndryshme. Sa i përket komunikimit me banorët e Tiranës dhe dëgjimit të shqetësimeve që ata kanë, kryebashkiaku Lulzim Basha ka njoftuar se dyert e Bashkisë do të jenë të hapura për ta ditën e premte. Ky do jetë takimi i dytë i radhës që Basha do të zhvillojë me kryeqytetasit pas takimit të parë për inaugurimin e detyrës së tij.

Takimi me ambasadoren e Zvicrës

Mesditën e djeshme ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Yvana Enzler, e uroi kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës për detyrën e tij. Gjithashtu në takimin e djeshëm ajo i shprehu kryebashkiakut gatishmërinë për bashkëpunimin mes qeverisë së vendit të saj dhe Bashkisë së Tiranës në projekte të ndryshme të përbashkëta. Ndërsa kryetari i Bashkisë e informoi ambasadoren zvicerane mbi projektet për zgjidhjen e problemeve të kryeqytetit dhe banorëve të tij si dhe me vizionin që ai ka për ta bërë Tiranën një qytet modern europian.

Bashkia e Tiranës

Bashkia: Denonconi ndërtimet pa leje!

Bashkia e Tiranës u bëri dje thirrje qytetarëve të kryeqytetit që të mos bëjnë ndërtime pa leje, pasi në të kundërt kushdo që vepron në kundërshtim me ligjin do të përballet me të. “Ndërtimet pa leje nuk do të tolerohen dhe në çdo rast përgjegjësit do të ballafaqohen me ligjin”, - u shpreh në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha. Duke bërë një pasqyrim të punës së bërë në këto ditët e para pas rotacionit në administratën e kryeqytetit mbi punën e Policisë Bashkiake për ndërtimet e paligjshme, Bisha theksoi se policia bashkiake e Tiranës ka ushtruar kontroll në 72 orët e fundit në territorin e kryeqytetit dhe ka evidentuar dhe pezulluar një numër të konsiderueshëm të ndërtimeve pa leje. “Gjithsej numri i ndërtimeve pa leje të konstatuara është 67. Në deklaratën e saj zëdhënësja e bashkisë tha se aksioni i policisë bashkiake vazhdon dhe në të gjitha rastet e konstatuara policia bashkiake, në zbatim të ligjit ka ndërmarrë hapat e nevojshëm. “Të gjitha rastet e ndërtimit të paligjshëm janë pezulluar. Por nga ana tjetër policia bashkiake ka konstatuar nga afër, gjendjen dhe ka dorëzuar tek qytetarët aktkontrollet”, - tha dje Anila Bisha. Nga ana tjetër, duke iu referuar këtyre rasteve, zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës u bëri thirrje qytetarëve që të distancohen nga ky fenomen, si dhe të kontribuojnë në denoncimin e tyre, duke lënë dhe një numër fiks në shërbim të kryeqytetasve, në mënyrë që ata të komunikojnë në çdo kohë me organet kompetente. “Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve të distancohen dhe të denoncojnë raste të ndërtimeve pa leje. Bashkia e Tiranës shpreh vendosmërinë për zbatimin rigoroz të ligjit në rastet e konstatimit të ndërtimeve të paligjshme. Edhe një herë Bashkia e Tiranës u bën thirrje qytetarëve që t’i denoncojnë këto raste në numrin e telefonit: 241 94 65”, - përfundoi deklaratën e saj Anila Bisha, zëdhënëse e Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›