E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitësit i zhdukin në një ditë 56 milionë lekë dhe bizhuteritë

03/08/2011  I kurseu në 20 vjet punë për një banesë të re, i përfitojnë hajdutët në një ditë

Duke përfituar nga largimi i të zotëve të shtëpisë, hajdutët kanë arritur të vjedhin 29 mijë euro, 12 mijë dollarë dhe 2 milionë lekë. Ngjarja ka tronditur një familje në fshatin Ninësh të komunës Fratar në rrethin e Mallakastrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, persona ende të paidentifikuar kanë arritur të bastisin një shtëpi në qendër të fshatit në orët e para të ditës së martë. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në kohën kur kryefamiljari 47-vjeçar Naim Skënderaj së bashku me bashkëshorten dhe dy fëmijët kishin shkuar te motra për një vizitë, e cila ndodhej në një fshat tjetër afër Ninëshit.

Ngjarja

Sapo janë kthyer në banesë, familjarët kanë vënë re se dera ka qenë e hapur dhe në shtëpi ishte bërë një rrëmujë e tejskajshme. Sapo kanë hapur kasafortën me punim druri, në të cilën mbante lekët, e kanë parë atë të boshatisur. Madje, si të mos mjaftonte kjo, grabitësit kishin marrë edhe një sasi të konsiderueshme bizhuterish.

Sipas dëshmive që ka dhënë për policinë, 47-vjecari Skënderaj ka vënë re se hajdutët janë futur në banesë nga oxhaku i shtëpisë së vjetër, ndërsa po aty kanë lënë edhe gjurmë dhe mendohet të jenë dy persona. E ndërsa hyrja është bërë nga oxhaku, grabitësit kanë arritur të dalin nga dera kryesore e shtëpisë.

Skënderaj i ka deklaruar policisë po ashtu se paratë ishin kursimet e tij prej 20 vjetësh në emigrim në Itali dhe se i mbante në banesë për shkak se dëshironte të ndërtonte këtë vjeshtë një banesë të re në fshat, pasi ajo që kishin ishte e amortizuar.

Hetimi

Me marrjen e njoftimit, policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet. Në banesë janë marrë të gjitha gjurmët, të cilat grabitësit i kanë lënë shkujdesur dhe që do të mjaftojnë për të bërë identifikimin e tyre. Ndërkohë përveç familjarëve në pyetje janë marrë edhe të afërm të tyre, të cilët kanë pasur dijeni për shumën e lekëve që Skënderaj i mbante në banesën e tij. Policia ka arritur të mbledh dhe shoqëroj rreth 13 të rinj nga fshati Ninësh, të cilët janë marrë në pyetje. Tashmë hetimet do të vijojnë dhe në qendër të dyshimeve të policisë janë të afërmit e familjes Skënderaj.

Aurora Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›