Ambasadorët mblidhen në "Kuvendin" vjetor
Ka nisur dje në Tiranë, Konferenca e përvitshme e Ambasadorëve, e cila do të zhvillohet deri më datën 30 dhjetor. "Kuvendi" i diplomatëve është një ngjarje tashmë që ka hyrë në traditën e shtetit shqiptar prej vitesh. Dje, përveç krerëve të shtetit shqiptar, atë e ka përshëndetur edhe kreu i diplomacisë italiane, Franko Fratini. Në këtë eveniment do të marrin pjesë edhe personalitete të njohura ndërkombëtare. Gjatë së enjtes, paneli i konferencës do të zhvendoset në Shkodër, ku do të dëgjohen edhe kërkesat e kryebashkiakëve të vendit. Kryeministri Sali Berisha u kërkoi ambasadorëve një ndryshim rrënjësor të punës së diplomacisë shqiptare, duke theksuar se "diplomacia ekonomike duhet të jetë përparësi në punën e tyre". "Misionet e diplomacisë sonë duhet të shndërrohen në misione ekonomike", theksoi Berisha në fjalën përshëndetëse.